Mbyllet reforma në drejtësi, PS: E vonoi opozita

Pas 2 vjetësh, Kuvendi mbylli miratimin e paketës së reformës në drejtësi, duke votuar edhe ligjin e fundit, atë të shërbimit përmbarimor.

Bilancin, kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja zgjodhi ta bënte përmes shifrave. Premtoi se në qershor do të ngrihet Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe do plotësohet Gjykata Kushtetuese, por vonesën ia faturoi rivalëve politikë.

“Ka bërë dhe bën gjithçka mundet për të penguar zbatimin e saj, por nuk e ndalon dot edhe sikur të qëndrojë gjithë jetën rrugëve”, u shpreh Ulsi Manja.

Përtej përgëzimeve që mori nga opozita në sallë për mbylljen e reformës, kritika i erdhi nga brenda PS-së.

“Jemi pak të vonuar në kohë, duke marr parasysh faktin që kanë qenë ligje me shumicë të thjeshtë. Asnjë interes i yni, politik apo personal, nuk duhet të ndikojë sadopak në përpjekjet për zbatimin e drejtë të reformës në drejtësi. Ne duhet të kujdesemi për të mbajtur larg këdo që edhe brenda nesh ka interesa klienteliste në këtë proces”, u shpreh Fatmir Xhafaj.

Opozitën, atë jashtë Parlamentit, e shigjetoi Taulant Balla. Përveç akuzës për bllokim të reformave, numri dy i socialistëve kishte edhe një paralajmërim.

“Kush guxon të godasë një punonjës policie, kjo prej miratimeve në Kodin Penal e në vazhdim, do të jetë një vepër penale që do të marrë vetëm burgun”, tha Taulant Balla.

Ndërsa fokusi i mazhorancës ishte orientuar te reforma në drejtësi, opozitarët në Parlament e kishin vëmendjen tjetërkund.

“Pse kanë kaq shumë frik, sepse Rudina Hajdari dhe Bindja Demokratike kanë deklaruar si themel të lëvizjes së saj ndryshimin e sistemit ligjor, ndryshimin e sistemit elektoral dhe rrjedhimisht ndryshimin e të gjithë kastës politike ”, u shpreh Andi Përmeti, deputetë, pjesë e Bindjes Demokratike.

Parlamenti votoi Myslym Murrizin nënkryetar të Kuvendit, Rudina Hajdarin në krye të Komisionit të Integrimit dhe Enver Roshin në atë të medias. Ralf Gjoni do të jetë nënkryetar i Komisionit të Jashtëm dhe Alban Zeneli i Komisionit të Ekonomisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2