Mediu: Caka gaboi për qendrimin e Evropës, ndryshimi i kufijve vetëm agjendë ruse – A2

Mediu: Caka gaboi për qendrimin e Evropës, ndryshimi i kufijve vetëm agjendë ruse

Ish ministri i Mbrojtjes dhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu komentoi në A2 ngjarjet e fundit politike, veçanërisht shkaqet e mos emërimit të ministrit të Jashtëm Gent Cakaj.
Mediu thekson faktin që liderët shqiptare nuk po kuptojnë faktin që shqiptarët në Rajon nuk gjenden më në situatat e favorshme të vitit 2009.
“Gjermania lider në Evropë ka një qasje negative për idenë e Thaçit për kufijtë, Shtetet e Bashkuara të presidentit Trump interesohen më shumë për marrëdhëniet ku preken në mënyrë direkte, dhe nuk kanë më vëmendjen e mëparshme për Ballkanin”, analizon Mediu, i cili shton se “fatkeqësisht aktorja më aktive në rajon është Rusia”.
Pikërisht roli i Moskës ka një rol, edhe pse indirekt, në mos dekretimin e bujshëm.
“ Më vjen keq për Cakajn për faktin që është djalë i lexuar dhe nga Kosova, por problemi nuk është ai por argumentimi i kryeministrit për forcën e kandidatit ndaj sfidave të ardhshme të vendit”, thotë Mediu, i cili shton se “Këto probleme nuk janë debatuar seriozisht, dhe akoma më keq qëndrimi i Cakajt që Evropa ka në agjendë ndryshimin e kufijve, nuk është e vërtetë, vetëm Rusia ka një agjendë të tillë”.
Në këtë pikë ai thumbon duke uruar që “të jetë çështje naiviteti, por nuk besoj se këto gjera ndodhin thjesht për naivitet”.