Memoriali turk, Çollaku për A2 CNN: Ftesa erdhi nga ambasada turke

Për vendosjen në Parkun e Liqenit në Tiranë, të një memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016, Partia Demokratike deri tani ka heshtur.
A2 CNN kontaktoi me Kreshnik Çollakun, ish kryekëshilltarin e të djathtëve në bashkinë e Tiranës, i cili mori pjesë në këtë ceremoni. Ai thotë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ambasadës turke, si përfaqësues i PD.
‘Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit dhe përgjigja duhet marrë nga institucioni i bashkisë ose Ambasadës Turke. PD si të gjitha vendet demokratike në botë, nga ShBA e BE, e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Marrja e pushtetit përmes grushtit shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi, por një çështje e parimeve demokratike që mbështeten në konventa ndërkombëtare, ku Shqipëria bën pjese. Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke”.
Të dielën, vetë kryebashkiaku Veliaj nuk i dha aspak rendësi debatit nëse Shqipëria po i lëshon terren Turqisë me këtë memorial, madje pohoi se as nuk e di ku ndodhet .
Një përgjigje e tillë, që nuk mbartte asnjë sqarim, nuk kaloi pa u kritikuar edhe nga Zëri i Amerikës. Ky i fundit shkruan se Kryebashkiaku Veliaj nuk shpjegoi se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë.
Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”- Shkruan Voa.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN