Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

“Merrni pijet me vete”, Johnson kërkon ndjesë për festën gjatë pandemisë

Nga A2 CNN
12 Janar 2022, 19:30 | Bota
“Merrni pijet me vete”, Johnson kërkon ndjesë për

Për herë të parë, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johsnon, pranoi se mori pjesë në një festë me pije në rezidencën qeveritare gjatë izolimit të parë për pandeminë koronavirus. Përballë një presioni të lartë në Parlament, ai kërkoi ndjesë, ndërsa u mbrojt duke thënë se mendonte se ishte një event pune. Megjithatë në atë periudhë grumbullimet ishin të ndaluara. Kjo ka bërë që zemërimi ndaj Johnson dhe qeverisë së tij të jetë tepër i lartë.

“Zoti kryetar, dëshiroj të kërkoj ndjesë. E di që miliona njerëz në këtë vend kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit. E di ankthin që kanë kaluar, në pamundësi për t’iu thënë lamtumirë të afërmve, për të jetuar jetën e tyre si duan apo të bëjnë çfarë duan. E di zemërimin që ata ndjejnë ndaj meje dhe qeverisë që unë drejtoj, kur mendojnë që në Downing Street rregullat nuk ndiqen nga personat që i vendosin ato”, u shpreh Johnson.

Opozita kërkon me ngulm dorëheqjen e Johnson.

“Më në fund u detyrua të pranonte atë që të gjithë e dinin: kur i gjithë vendi ishte i izoluar, ai organizoi një festë me pije alkoolike në kryeministri. A do ta bëjë ai tani gjënë e duhur dhe të dorëhiqet?”, deklaroi lideri i opozitës laburiste Keir Starmer.

Kryeministri britanik nuk do të dorëhiqet nga ky skandal, për të cilin priten rezultatet e një hetimi. Sipas raportimeve të mediave, në festën e mbajtur në maj të 2020-ës morën pjesë rreth 40 pjestarë të stafit kryeministror, përfshirë edhe partneren e Johnson.

Nga ky skandal një ndihmëse e kryeministrit dha dorëheqjen në dhjetor, pasi doli në një video duke qeshur për festën në Downing Street.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu