Mësymja e Kongresit, pikëpyetje për dështimin e sigurisë, Biden: Protestuesit me ngjyrë do ishin trajtuar ndryshe

Ndërsa Amerika është ende në gjendje shoku nga dhuna e së mërkurës në Uashington, shumë pikëpyetje po ngrihen mbi sigurinë dhe përgatitjen e forcave policore të Kapitolit, për t’iu përgjigjur një skenari të tillë.
Për shumë është e pakuptueshme që mijëra mbështetës të Trump, ishin në gjendje të thyenin barrierat duke hyrë në një prej godinave më të rëndësishme historike dhe politike. Pamjet dhe foto të atij që po konsiderohet si një prej momenteve më të errëta në historinë moderne të SHBA, tregojnë mbështetësit ekstremistë të Trump, teksa enden të pa shqetësuar në korridoret e Kongresit, duke vandalizuar simbolet e demokracisë.
Policia e Kapitolit, e përbërë nga rreth 2000 forca, u pa teksa pushtohej shpejt nga turma e protestuesëve, disa prej të cilëve me jelekë antiplumb e armë zjarrit. Shumë prej tyre u shoqëruan jashtë pa u arrestuar, e pas disa orëve ndërhyrje vetëm rreth 60 persona u vunë në pranga.
Mes thirrjeve të ligjvënësve për shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për sigurinë, rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Irving, u dorëhoq.
Lideri i Demokratëve në Senat, Chuk Shummer, kërkoi edhe largimin e rreshterit përgjegjës për sigurinë e Senatit. Në një deklaratë, presidenti i zgjedhur Joe Biden akuzoi autoritetet se i kishin trajtuar më butësisht mbështetësit e Trump se sa demonstruesit anti-racistë të lëvizjes, Black Lives Matters.
”Askush nuk mund të më thotë se nëse protestuesit do të kishin qene persona me ngjyrë, do të ishin trajtuar shumë ndryshe se trauma e anarkistëve që sulmoi Kapitolin. E dimë të gjithë se kjo është e vërtetë dhe totalisht e papranueshme”, deklaroi presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden.