Presidenti Ilir Meta vendosi të dekretojë 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, duke i hapur rrugë votëbesimit në Parlament. Pas Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, emrat morën dritën jeshile edhe nga Shërbimi Informativ, duke detyruar Ilir Metën të hedhë firmën mbi dekretin që mban emrat e propozuar nga Rama për ministra.
Qeveria “Rama 3” mori bekimin e Ilir Metës. Katër ditë pasi kërkesa kishte mbërritur në Presidencë, Kreu i Shtetit dekretoi qeverinë e re.
Përpara se të hidhte firmën në letër, Kreu i Shtetit kërkoi verifikimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Konkretisht, në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe SHISH mbërriti posta presidenciale, ku në brendësi kishte emrat e 17 anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Që të tre institucionet nxorën të pastër propozimet e Edi Ramës, ndonëse akuzat në drejtim të ekzekutivit nuk kanë munguar. Tanimë, stafeta është në duart e Lindita Nikollës. Kryeparlamentarja e sapozgjedhur duhet të thërrasë mbledhjen e Parlamentit në mënyrë që socialistët të japin edhe votëbesimin për qeverinë e tyre.
Konflikti i dalë në dy seancat e para mund të konsiderohet vetëm një nxehje kordash vokale, pasi kjo e treta parashikon edhe prezantimin e programit qeverisës, ku opozita ka një qasje të vetme: “Rama 3” është qeveri ilegjitime.
Përpara sesa të ulen në tryezën e Këshillit të Ministrave, 17 anëtarët do të shkojnë sërish tek Ilir Meta, këtë herë për t’u betuar, vlera e të cilit duket ceremoniale, pasi do ta bëjnë përpara personit që vendosën ta shkarkojnë pak muaj më parë. (A2 Televizion)