Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Meta njeh zgjedhjet dhe dekreton datën, Parlamenti mblidhet më 10 shtator

Nga A2 CNN
1 Shtator 2021, 16:15 | Politikë
Meta njeh zgjedhjet dhe dekreton datën, Parlamenti mblidhet më 10

Më 10 shtator nis punën Kuvendi i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese, duke thirrur deputetët në seancë plenare, akt i cili i hap rrugë edhe formimit të qeverisë Rama tre.

Muaji shtator shënon fillimin e sezonit të ri politik dhe në ditën e parë të tij, kreu i shtetit ndezi motorët duke zgjedhur të ushtrojë të drejtën që i jep Kushtetuta, të thërrasë mbledhjen e parë të parlamentit.

Pritet që brenda ditës së 10 të muajt shtator të zhvillohen dy seanca plenare. E para do të jetë thjeshtë ceremoniale ku do të shënohet edhe fillimi i legjislaturës së 10 të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa seanca e dytë është më e rëndësishmja, zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit.

Emri i kryeparlamentarit të ri është në mendjen e Edi Ramës, por zgjedhja e tij do të jetë sprova e parë politike për partitë parlamentare. Socialistët duhet të tregojnë unitetin e votave, ndërsa demokratët duhet të ruajnë rrjedhjen e tyre, siç ndodhi katër vite më parë ku Gramoz Ruçi mori më shumë vota se sa kishte partia e tij.

Pas datës 10 nis zyrtarisht puna për formimin e qeverisë Rama 3. Kryesocialisti do të mandatohet nga deputetët e tij për të formuar qeverinë nga ku do të trokasë në derën e Ilir Metës për t’i kërkuar njeriut që socialistët shkarkuan me votë nga posti i Kreut të Shtetit, dekretimin si drejtues i ekzekutivit për katër vitet e ardhshme.

Sjellja e Metës ndaj emrave të ministrave është dilema e fundit që mbetet në marrëdhëniet e tij me mazhorancën socialiste. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që sanksionon se nuk mund të refuzohet emërimi i një ministri nëse kandidati plotëson kushtet për të qenë deputet, nuk duket se i lë shumë shteg për manovra politike Presidentit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë