Milo: Rama ministër zgjedhja e duhur, përditshmërinë mund ta mbulojë Cakaj

I ftuar në studiot e A2 për të komentuar ngjarjet e fundit politike, në veçanti vendimin e kryeministrit Edi Rama për të marrë mbi supe përkohësisht detyrën e Ministrit të Jashtëm, Paskal Milo nuk duket i surprizuar nga lëvizjet e kryeministrit dhe në përgjithësi nga marrëdhëniet e tij me presidentin Meta.

“Nuk është surprizë konflikti. Nga viti 2005, marrëdhënia mes këtyre institucioneve nuk ka qenë aq bashkëpunuese. Marrëdhëniet me ekzekutivin kanë qenë të tensionuara”.

Në këtë prizëm, për Milon ditët e kaluara të politikës shqiptare “nuk përbëjnë një përjashtim” sepse “Shqipëria është një rast unikal i bashkëpunimit të keq”.

Po çfarë mendon ish ministri i Jashtëm i disa prej viteve më delikate të transicionit (1997-2001) për zgjedhjen e Ramës, ashtu si modeli grek i Tsipras?

“Jo, nuk është modeli grek, ka vende të tjera në botë që e aplikojnë. Por Tsipras u detyrua nga zgjedhjet që afrohen, kurse Rama nuk është i detyruar”, tha Milo.

Për politikanin e njohur, gjithsesi, vendimi i Ramës “i jep një zgjidhje të mirë, në mënyrë që shteti të mos eksperimentojë, dhe të marrë një rol të qëndrueshëm për stabilitetin e dinamikave rajonale”.

Por Milo veçon disa fjalë të kryeministrit, që tregojnë se si do të jenë zhvillimet e ardhshme në Ministrinë e Jashtme: “Rama përdori termin latin de iure, dhe jo de facto, pra vetëm nga ana formale do ta drejtoi ai Ministrinë, por në të vërtetë dikush tjetër do të kryej detyrat operative të përditshmërisë. Unë besoj se ky person ka mundësi të jetë vetë Gent Cakaj”.

Në fund, Milo nuk mungon të shprehet pesimist për reformën zgjedhore, “do të behën disa modifikime të vogla, që nuk prekin thelbin e ligjit dhe interesat e partive të mëdha” dhe të thumbojë Kuvendin e sotëm, “i shndërruar nga një parlament intelektual në një parlament biznesmenësh që nuk flasin kurrë” ose edhe “kriminelësh”, “ku dëgjon vetëm sharje që nuk kanë asgjë të ngjashme me simbolikën e atij vendi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN