Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Milva Ekonomi: Ringritja, sfida më e madhe e ekonomisë. Fasonët të ndahen në kategori

Nga A2 CNN
4 Maj 2020, 14:14 | Ekonomi
Milva Ekonomi: Ringritja, sfida më e madhe e ekonomisë. Fasonët

Kur përmendet ekonomia dhe risqet që i kanosen post pandemisë globale, thuajse harrohet kjo e fundit. Barra më e madhe, si kudo, rëndon mbi qeverisjen, e cila duhet të ideojë, mirëmendojë dhe përpilojë strategji për ta kaluar sa më lehtë krizën.

Për të folur për këtë temë, foli në Ditarin e orës 13:00 në A2, Milva Ekonomi, kryetare e komisionit të Ekonomisë.

“Të dyja paketat kanë pasur në qendër të vëmendjes individin. Tani po bëhet rishpërndarja e pagës së dytë, ndërsa edhe për ata që ishin të vonuar te paga e parë, patën një mundësi për të aplikuar. Në bazë të të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave deri të enjten e javës së kaluar, për familjet që janë më shumë në nevojë 60,750 familje që kanë marrë dyfishin e pagës, kanë qenë 3100 familje me kryefamiljarin e papunë që kanë marrë dyfishin. Për pagën e dytë, paketa e zgjedhuar, kanë qenë të regjistruar 176 mijë individë dhe deri të enjten në mëngjes kanë qenë të proceduar 75 mijë individë dhe procesi vazhdon. Veç këtyre janë edhe garancitë sovrane”.

Ekonomi u shpreh se politika e ndjekur nga Shqipëria ishte e bazuar nga mendimi teknik i atyre që janë ekspertë të kësaj fushe në të gjithë globin. “Politika që Shqipëria ndërtoi rridhte nga mendimi teknik i atyre që janë ekspertë të kësaj fushe në të gjithë globin. Përveç kontrollit të pandemisë, ka qenë edhe një lëvizje tjetër që menjëherë duhet të mendosh për rimëkëmbjen”.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë foli më tej edhe për fasonët, duke thënë se ata duhet të ndahen në kategori. “Fasonët kanë qenë në qendër të vëmendjes, ndërsa sot ka nevojë për më tepër intensitet. Ne duhet të ndajmë në kategori fasonët. Ka shumë fasonë këpucësh që arrijnë të mbajnë dhe kontratat, ka shumë fasonë veshjesh që mbajnë edhe kontratat. Të mos flasim për fasonët në fushën e bujqësisë që nuk kanë asnjë lloj vështirësie. Ka të tjerë që kanë vështirësi reale sepse kontrata e tyre është e rrezikuar dhe kushtet që ata punojnë janë jashtë protokollit. Kjo do të shihet hap pas hapi”.

Ekonomi foli edhe për garancinë sovrane. “Garancia sovrane është përdorur në Shqipëri edhe më herët, në fushën e agrobiznesit. Duke u nisur nga kjo eksperiencë e suksesshme, rimori këtë iniciativë për garancinë sovrane. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se raporti bëhet mbi një kontratë palësh, e cila duhet respektuar. Ndërkohë, janë bërë shumë aplikime në biznese, të cilët janë shprehur të gatshëm për garancinë sovrane. Ne nuk mund të themi se do të jetë një situatë normale, siç ishte para pandemisë. Ne mund të mendojmë se kërkesat nga të dyja palët mund të jenë edhe më të relaksuara edhe më të shtrënguara, pasi varet nga kontratat që do të hyjnë”.

Sfida më e madhe e ekonomisë? “Ringritja do të jetë sfida më e madhe për ekonominë. GDP-ja e Shqipërisë pritet të bjerë dhe natyrisht që do të kemi nevojë për një rimëkëmbje. Do të jetë mençuria jonë të gjejmë se cilët sektorë do të gjenerojmë më shumë të ardhura dhe më shumë punësim. Ne duhet të bëhemi gati që disa biznese inovative duket të marrin jetë në Shqipëri, të rinjtë duhet të përdorin të gjithë kapitalin e lirë në banka për ta rihedhur në ekonomi”, u shpreh Ekonomi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë