Ministri Cakaj: Progres raporti vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe reformën në drejtësi

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka dhënë një deklaratë për shtyp pas marrjes së progres- raportit të Komisionit Evropian, i cili rekomandon hapjen pa kushte të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Ministri Cakaj deklaroi se raporti i Komisionit ishte një dëshmi e sukseseve dhe përmbushjes së kushteve nga ana e qeverisë shqiptare për procesin e integrimit.

“Atë që qeveria e Shqipërisë iu ka thënë prej kohësh në mënyrë të përgjegjshme, ditë për ditë, Komisioni Evropian e ka bërë fakt të njohur dhe të pamohueshëm botërisht.

Shqipëria ka shënuar progresin e nevojshëm, ka bërë punën e duhur dhe ka treguar përkushtimin e fortë për të merituar çeljen pa kushtet të negociatave me BE. Ky vlerësim nuk është përsëritje e vlerësimit të kaluar, raporti i ri nuk është i vjetër, ai është dëshmi e sukseseve të reja, dëshmia e përmbushjes së gjitha rekomandimeve të KE dhe kushteve të Këshillit” u shpreh ministri Cakaj.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm në detyrë u shpreh se në raport u vlerësua dhe puna e bërë nga Shqipëria për reformën në drejtësi.

“Komisioni Evropian nënvizoi se Shqipëria është një rast shembullor i transformimit rrënjësor dhe madhor të sistemit të drejtësisë dhe vlerësimit sistematik të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Raporti i KE veçon Shqipërinë, nga gjithë rajoni, për një shkak me vlerë të dyfishtë, nivelin e performancës kombëtare dhe cilësinë e monitorimit ndërkombëtar. Raporti vlerëson lart faktin se e gjithë kjo punë është kryer nën monitorim e kujdesshëm të ONM”, tha para gazetarëve Gent Cakaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN