Miratohet paketa Anti-KÇK, Qeveria: Prek pasurinë e njerëzve të krimit

Qeveria shqiptare ka miratuar sot atë që e ka quajtur paketa KÇK, duke ndryshuar disa ligje, si ai Antimafia, ai i Policisë së Shtetit, ai për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara si dhe në Kodin Penal.

“Të gjitha këto ndryshime, bashkë me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë vendimmarrje e Kuvendit. Akti është normativ dhe hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e tyre”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni.

“Pjesë e paketës anti KÇK, janë edhe ata të cilët ndonëse të akuzuar për krime të rënda, për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë, nuk u dënuan kurrë dhe lëvizin të lirë. Të gjithë këta do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat dhe llogaritë bankare të tyre burojnë nga puna dhe jo aktiviteti i paligjshëm. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta”, shtoi ajo.