Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Monedha në “Fontana di Trevi” sjell fat, udhëheqësit e G20 arrijnë marrëveshje për klimën

Nga A2 CNN
31 Tetor 2021, 16:17 | Bota
Monedha në “Fontana di Trevi” sjell fat, udhëheqësit

Ditën e dytë të samitit e nisën herët dhe në një atraksion turistik të kryeqytetit italian. Liderët e 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës hodhën një monedhë në Fontana di Trevi të Romës, duke shprehur dhe një dëshirë, siç është tradita.

Nuk vonoi shumë që dëshira të plotësohej: udhëheqësit arritën një marrëveshje për çështjen më të rëndësishme në agjendë, atë për ndryshimet klimatike, duke vendosur një tavan për ngrohjen globale në 1,5 gradë celcius dhe duke u angazhuar në emetime zero deri në mesin e këtij shekulli.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, u shpreh: “Fitojmë ose dështojmë së bashku. Si G20 kemi përgjegjësinë të tregojmë lidershipin tonë dhe të udhëheqim botën drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Udhëheqësit ranë dakord që të bëjnë më shumë në ndihmë të vendeve të varfra për luftimin e pandemisë koronavirus. Vendosën dhe synimin që deri në fund të këtij viti të imunizojnë 40% të popullatës në botë dhe që niveli i vaksinimit anti-covid të shkojë 70% deri në gjysmën e vitit 2022.

Monedha e hedhur në atraksionin turistik solli fat edhe për zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian ranë dakord për heqjen e tarifave të importit për aluminin dhe çelikun.

Një tjetër mosmarrëveshje që po shkon drejt zgjidhjes është ajo për peshkimin mes Britanisë së Madhe dhe Francës.

Tensionet janë ulur edhe mes presidentëve Rexhep Tajip Erdogan dhe Emmanuel Macron, që u ulën përballë njëri-tjetrit në samitin e G20 në Romë.

Ndërkohë, në ditën e parë të punimeve, udhëheqësit u pajtuan për vendosjen e një takse prej 15% ndaj bizneseve të mëdha për fitimet e tyre, me synimin që të shmanget ridrejtimi i të ardhurave në vendet me taksa të ulëta.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani