Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Moska godet armët perëndimore: Londra po nxit Kievin të sulmojë territoret ruse

Nga A2 CNN
27 Prill 2022, 12:15 | Bota
Moska godet armët perëndimore: Londra po nxit Kievin të

Ushtria ruse pretendon se ka shkatërruar një sasi të madhe armësh që i ishin dërguar Kievit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane, pas një sulmi me raketa në juglindje të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se raketat kishin shënjestruar hangarë me sasi të konsiderueshme armësh, në Zaporizhia: “Raketa kalibri me precizion të lartë dhe rreze të gjatë veprimi, të lëshuara nga deti, shkatërruan hangarë pranë impiantit të aluminit në Zaporizhia, ku gjendeshin sasi të mëdha armësh dhe municionesh të huaja. Ato i ishin dërguar Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane. Forcat ajrore goditën 56 struktura ushtarake gjatë natës”. 

Njoftimi vjen pas përshkallëzimit të retorikës mes Moskës dhe Perëndimit lidhur me furnizimet me armë. Qeveria e Moskës akuzoi Britaninë e Madhe se po shtynte Ukrainën të sulmonte territorin rus. Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi se do të kundërpërgjigjej në mënyrë proporcionale duke goditur qendrat e vendimmarrjes në Kiev, ku gjenden edhe këshilltarë perëndimorë.

Reagimi erdhi pasi ministri i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar tha se “jo domosdoshmërisht ishte një problem” që Ukraina të përdorte armë britanike për të shënjestruar objektivë ushtarakë në Rusi.  

Kremlini repikoi se një logjikë e tillë do të nënkuptonte që edhe Rusia mund të godiste vendet që armatosin Kievin: “Duam të theksojmë se nxitja e drejtëpërdrejtë e regjimit të Kievit në aktivitete të tilla provokuese nga Londra, do të çonte në një përgjigje proporcionale nga ana e Rusisë”.

Moska ka akuzuar forcat ukrainase për goditjen e shënjestrave brenda territorit të saj, përfshirë një cisternë nafte në Bolgorod, por Ukraina nuk i ka konfirmuar sulmet. Shpërthime të shumëfishta u dëgjuan të mërkurën në qytetin e Bolgorodit, rreth 40 km në veri të kufirit me Ukrainën. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë