Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

(Mos)marrëveshja zgjedhore, Krasniqi: Nëse kalon, bëhemi vendi i parë që ndryshon Kushtetutën online në kohë pandemie

Nga A2 CNN
14 Korrik 2020, 15:05 | Politikë
(Mos)marrëveshja zgjedhore, Krasniqi: Nëse kalon, bëhemi vendi i

Për analistin Afrim Krasniqi, miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e Ligjeve, hedh poshtë marrëveshjen e 5 qershorit. “Ajo shoqërohej me një pikë, sipas së cilës asnjë ndryshim në kodin zgjedhor nuk mund të bëhej pa miratimin e Këshillit Politik. Marrëveshja e re nuk ka kaluar as formalisht në Këshillin Politik, kështu që kemi të bëjmë me dy ecje paralele, me një kalkulim që lidhet drejtpërdrejt me interesat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Krasniqi në Ditarin e orës 13:00 në A2.

“Nuk është e qartë nëse ndryshimet kushtetuese janë në fazën finale, sepse mund të ndodhë që presioni ndërkombëtar, nevoja për negociata, ta bëjnë të pamundur kalimin në seancë, por nëse kalon kemi një realitet krejt të ri politik, bëhemi vendi i parë në botë që ndryshojmë kushtetutën online, në kohë pandemie, pas Rusisë, duke krijuar një precedent që mund të kthehet në kosto për procesin e integrimit të Shqipërisë”.

Marrëveshja e 5 qershorit u negociua dhe u përshëndet nga partnerët kryesorë të Shqipërisë dhe në terma teknikë, thotë Krasniqi, ndryshimet e reja janë deri diku të përafërta me kodin danez të propozuar nga Ambasada Amerikane. “Por termat e vendosur në Kushtetutë janë një histori pafund negociatash që mund të ndryshojnë tërësisht elementet e sistemit elektoral. Shqipëria bëhet nga vendet e pakta që e heq me kushtetutë krijimin e koalicioneve. Gjithmonë në politikë kur ndodh një ndryshim i tillë , pyetja është kush përfiton dhe pse ndodh? Është e qartë që kemi një kalkulim elektoral dhe përpjekje e mazhorancës për të copëzuar votën e opozitës.

Vendimi për lista të hapura parimisht është i saktë dhe i drejtë, por mënyra sesi u realizua lë një shije të hidhur, u bë vetëm për dy javë, pa një debat real publik dhe pa i dhënë mundësi partnerëve që u investuan aq shumë në marrëveshjen e 5 qershorit, të arrinin të kishin një opinion dhe të ishin pjesë e një zgjedhje solide. Nuk u pyet as Opinioni i Venecias.

Gjatë gjithë seancave dëgjimore, deputetët e mazhorancës nuk kanë bërë pyetje, sepse kanë qenë në pritje të vendimit politik nga lidershipi. Në momentin që u dha vendimi politik, pastaj po ata u bënë partizan të një sistemi që ishte refuzuar deri para një muaji”, u shpreh ai.

“Asnjë garanci për zgjedhjet e ardhshme”

Sipas Krasniqit, ndërhyrjet në Kushtetutë deri sot kanë rezultuar jo të suksesshme. “Ne sot nuk kemi asnjë garanci që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të lira dhe të ndershme dhe vota do të jetë më e barabartë. Këto mizanskena si kjo e sotmja që 2/3-at të zgjidhen nga qytetarë dhe 1/3-at jo, gjithçka lë shije të hidhur, pse shqiptarë ve nuk u besohet tërësisht parlamenti? Nuk ka asnjë tregues që niveli i qytetarëve është më i ulët se i partive. Është e kundërta, partitë na kanë ofruar kriminelë, politikanë të korruptuar që riciklojnë njëri-tjetrin.

Marrëveshja që është bërë sot, duket sikur individët që kanë konturuar këtë sistem, janë ulur, kanë bërë listën e politikanëve që duhet të jenë në parlament, që duhet të shpërblehen për votën sot, përfshi edhe nga opozita e re e më pas është arritur në këto eksperimente.

Qytetari nuk përfiton shumë, sepse sistemi nuk është i drejtë. Vetë ideja që partive u hiqet e drejta të konkurrojnë bashkë dhe të konkurrojnë në rang kombëtar, duke pasur edhe një prag kombëtar, që nuk ofron garanci që çdo votë do të ketë të njëjtën vlerë në çdo rast, praktikisht do të jenë militantët e partive që vendosin dhe do të jenë votat e trafikuara mes partive që do të vendosin kush do të jetë në parlament”, tha Krasniqi.

“Opozita e re në aventurë politike për të ruajtur vendet”

“Alibia që përdorën se nëse hapet shumë sistemi shkohet në një bllok të madh listash nominale që krijojnë problematike bie poshtë. Formula e sotme do të jetë një histori më vete, që do të kërkojë muaj të tërë negociata për të arritur një kompromis. Pala e opozitës së re, që e propozoi, e ka aventurë politike, për të ruajtur vendet. Për ta çdo sistem i hapur është më i mirë se sistemi aktual. Por ata po kërkojnë një sistem që nuk është shumë i drejtë për qytetarin. Deri diku ata janë pjesë e lojës politike dhe ndihen komod kur një nga palët kryesore në vend po bën lojën e tyre”.

“Nëse sot 2 parti vendosin të bashkëpunojnë duhet të shkrijnë partitë e tyre dhe të krijojnë një parti të re”

Problemi, sipas Krasniqit, është çfarë ndodh me përfaqësimin e Shqipërisë dhe integrimin. “Shqipëria muajt e fundit ka prodhuar vetëm një lajm pozitiv, dakordësia e partive politike për heqje dorë nga protestat e rrugës dhe rikthimin në institucione. Sot ajo marrëveshje bie, gjithçka nis nga fillimi dhe gjithë përpjekja e qeverisë në vend që të jetë për të marrë datën e nisjes së negociatave, do të jetë për të bindur ndërkombëtarët se ndryshimi i sotëm përputhet me kriteret e Bashkimit Europian. Është një histori e gjatë negociatash të reja. Ndryshimet e sotme prekin të paktën 25 nene të kodit zgjedhor. Për Shqipërinë ky është luks i madh, kur kanë mbetur edhe dy javë për mbylljen e punëve të parlamentit”, tha ai.

“Kjo ngre dhe dilemën nëse kemi të bëjmë me presion politik, ku mazhoranca po shet diçka që nuk e do, apo lojë politike që e vendosur që për hir të mandatit të tretë mazhoranca po sakrifikon gjithçka, përfshi edhe integrimin drejt Bashkimit Europian. Heqja e fjalës koalicion ndryshon tërësisht skemën. Nëse sot 2 parti vendosin të bashkëpunojnë duhet të shkrijnë partitë e tyre dhe të krijojnë një parti të re. Kjo është bërë me synim të kalkuluar për të hequr mundësinë që të ketë një koalicion të gjerë të partive politike ndaj një maxhorance që është unike. Është hera e parë që ne kemi një parti të vetme në pushtet dhe si e tillë e ka shumë të vështirë të jetë atraktive për të krijuar koalicion dhe e vetmja mënyrë për të penguar krijimin e koalicionit kundër është ta eliminojë. Mënyra e zgjedhur në Kushtetutë, është mënyra më e keqe, sepse Kushtetuta nuk bëhet për një palë zgjedhje, por për 50-100 vite. Dhe të përdorësh Kushtetutën sa herë që ke një problem është logjika më antikushtetuese dhe antikoncept i shtetit të së drejtës”.

Çfarë do të bëjnë ndërkombëtarët?

Në këtë mes, faktori ndërkombëtar, sipas Krasniqit, ka ndryshuar kah. “Nëse deri para një viti opozita i kishte të gjithë kundër, sot i ka të gjithë pro. Çështja është, sa është kosto e kësaj ndërhyrjeje dhe a do të ketë një negociatë ndërkombëtare për të zgjidhur krizën? Në çdo rast, Shqipëria merr një minus në procesin e integrimit dhe koston e paguajmë të gjithë. Vetë opozita në vend që të negociojë dhe të presë nga jashtë, do të duhet vetë të ketë një sjellje krejt tjetër ndaj kësaj problematike, mund të kishte propozuar vetë hapje të listave. Të dy palët kërkojnë të përfitojnë nga teknikalitete, por opozita ka më shumë të drejtë për faktin se është prishur akordi i përshëndetur nga BE dhe Departamenti Amerikan i Shtetit”, tha Krasniqi.

“Nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese, çdo jurist e di që ato ndryshime do të bllokoheshin. Fakti që nuk e kemi, çdo kryetar partie bën gjykatësin dhe siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, do të kemi vendimmarrje kundër nga Komisioni i Venecias, por dëmi do të jetë bërë dhe koston e paguajnë qytetarët dhe Shqipëria. Do të shohim nëse do të ketë ndryshime dhe prurje të reja politike. Nëse shkojmë me raportet e sotme, parlamenti i ardhshëm do të jetë aq problematik sa parlamenti aktual, në përbërje dhe cilësinë e përfaqësimit”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani