Moti i keq i merr jetën gruas në Himarë, shpëtohen 3 persona

Era deri në 80 km/h e shoqëruar me rrebeshe shiu, që pushtuan bregdetin e Himarës mëngjesin e kësaj të mërkure kanë shkaktuar një tragjedi. Një grua, ka mbetur e mbytur, pasi varka në të cilën ndodhej së bashku me tre anëtarët e tjerë të familjes, dy djemtë dhe bashkëshortin, u përmbys si pasojë e furtunës që përfshiu zonën.

Katër anëtarët e familjes kishin dalë në det me një mjet të vogël lundrues për të mbledhur rrjetat e peshkimit, por furtuna i ka zënë në det. Fatmirësisht një nga pjesëtarët e familjes ka arritur të kërkojë ndihmë dhe policia kufitare, në bashkëpunim me rojën bregdetare si dhe një mjet turistik, i kanë ardhur në ndihmë duke nxjerrë në breg tre prej katër anëtarëve të familjes, babain dhe dy djemtë.

Fatkeqësisht, operacioni i kërkimit nuk arriti të gjejë në kohë gruan, e cila është gjetur e mbytur pa jetë disa orë më pas, 1 milje larg bregut të Dhërmiut.