Muçi pikë titulli Tiranës, s’ka fitues në derbin e kryeqytetit

Derbi i radhës Partizani-Tirana është mbyllur në barazim 1-1, me të “kuqtë” që ishin shumë pranë fitores, por ia mohoi talenti bardheblu Muçi, në minutat e shtesës.

Partizani vinte në këtë derbi i goditur jo vetëm nga rezultatet jo të mira, por edhe i prekur nga pandemia e korornavirusit, e cila detyroi 5 lojtarë të futen në izolim. Madje edhe trajneri Sormani nuk u paraqit në këtë ndeshje.

Megjithatë, lojtarët e Partizanit që zbritën në fushën e lojës nuk toleruan aspak, madje shënuan të parët në minutën e 76 me anë të William. Atëherë kur të gjithë menduan se ndeshja u mbyll me fitoren e skuadrës së Partizanit, del në skenë talenti bardheblu Muçi, i cili shënoi në minutat e shtesës, duke e vulosur ndeshjen në barazim 1-1.

Kjo pikë e marrë në derbi mund të rezultojë vendimtare për Tiranën në garën për titull, duke qenë se tashmë është 7 pikë para Kukësit, i cili nesër luan përballë Teutës, që synon gjithashtu një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.