Mungesa e mbikalimeve, kuksianët kalojnë mbi trafik-ndarëse në “Rrugën e Kombit”

Mungesa e mbikalimeve përgjatë segmentit Kukës-Morin në Rrugën e Kombit, po kthehet në një rrezik serioz për shumë qytetarë kuksiane veçanërisht të moshuarit, të cilët kalojnë mbi trafik-ndarëse për të shkuar buzë liqenit.
Ata kanë vendosur edhe shkallë për të hipur mbi trafik-ndarëse, duke u kthyer në një rrezik jo vetëm për veten e tyre por edhe për drejtuesit e mjeteve që kalojnë me shpejtësi në këtë segment rrugor.
Pamje të tilla, kur qytetarët tentojnë të kalojnë trafik-ndarësen për të kaluar në anën tjetër të autostradës në segmentin Kukës-Ura e Uzinës janë të përditshme.
Të privuar nga mungesa e mbikalimeve, banorët e Kukësit, kryesisht të moshuar që duan të shkojnë buzë liqenit, detyrohen të zgjedhin kalimin mbi trafik-ndarëse apo përmes shkallëve.
Banorët shprehen se mbikalimi më i afërt është mbi 2 km larg dhe kjo është arsyeja që ata zgjedhin të rrezikojnë çdo ditë duke kaluar përmes autostradës se sa të ecin për të arritur tek mbikalimi.
“Ne pleqtë nuk kemi me takat, do të na ikte e gjithë dita”, thotë njeri prej tyre.
Liqeni mbetet i vetmi vend ku të moshuarit e Kukësit dhe nostalgjikët mund të kalojnë kohën e lirë.