Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Ndikimi i pandemisë, pagesat me kartë dhe elektronike u rritën me 37%

Nga A2 CNN
23 Mars 2021, 20:34 | Ekonomi

Pandemia e Covid-19 rriti ndjeshëm pagesat që shqiptarët i bëjnë jo në cash. Veçanërisht gjatë periudhës së karantinës, kur evitimi i kontaktit fizik ishte i detyrueshëm, shumë individë iu drejtuan formave alternativa të pagesave.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat me kartë arritën një vlerë totale transaksionesh prej 11 miliardë lekësh gjatë vitit të kaluar, me rritje afërsisht 37% kundrejt 2019-ës. Këtu kryesisht përfshihen blerjet online dhe blerjet nëpër supermarkete dhe dyqane me kartë.

Në rritje po ashtu ishin edhe transaksionet me para elektronike, përmes aplikacioneve dhe pikave të gatshme POS, kryesisht për pagesën e gjobave dhe faturave të energjisë elektrike, ujit apo internetit. Shuma totale e këtyre pagesave arriti gjatë 2020-ës në 482 milionë lekë, po ashtu me 37% rritje.

Megjithatë vlerësohet se zgjerimi i përdorimit të këtyre alternativave të cash-it, është shfrytëzuar nga një numër relativisht i vogël i popullsisë, ndërsa pjesa tjetër, siç dëshmojnë edhe pamjet e javëve të para të rihapjes pas karantinës, vazhduan t’i drejtoheshin bankave për çdo transaksion.

Krahas kulturës së dobët financiare, problem në vend mbetet ende përqindja e ulët e individëve që kanë një llogari bankare, të cilët vlerësohen në rreth 40% të popullsisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë