Ndizet gara për naftën në Mesdhe, Turqia zgjeron operacionin e kërkimit në Qipro

Anijet turke po vazhdojnë operacionet e kërkimit për naftë në Mesdheun lindor, dhe një tjetër do t’u bashkohet atyre këtë muaj. Njoftim vjen nga ministri i energjetikës Fatih Donmez, dhe rrezikon të rrisë tensionet mes Ankarasë dhe Qipros.
Dy vendet janë të përfshira prej disa vitesh në një konflikt lidhur me pronësinë e gazit në Mesdheun lindor. Turqia refuzon marrëveshjet e njohura ndërkombëtarisht të cilat Qipro ka arritur me shtete të tjera mesdhetare lidhur me zonat ekonomike detare.
Anijet shpuese Fatih dhe Yavuz, bashkë më një anije eksplorimi u dërguan të operojnë në ujërat e ishullit të ndarë të Qipros, duke nxitur akuzat e Greqisë, se Ankaraja po minon sigurinë në rajon.
“Në gusht ne do të dërgojmë anijen e dytë të eksplorimit Oruc Reis, në Mesdhe. Më pas do të vazhdojmë kërkimet me anije eksplorimi dhe shpimi deri në fund. Deri tani kemi arritur të shpojmë në thellësinë e 1710 metrave”, deklaroi ministri turk Domnez.
Operacionet e Turqisë në rajon janë dënuar nga aleatët e saj perëndimorë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro, dhe rajonin separatist të Qipros turke. Ky i fundit njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2