Ndryshimet në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, Bregasi: Mund të rrisin korrupsionin

Shqetësimet e vazhdueshme të qytetarëve dhe medias duket se kanë gjetur përgjigje me ndryshimet që pritet të ndodhin në Kodin Penal për sa i përket sigurisë ushqimore dhe jo vetëm.

Me Kodin Penal aktual të vitit 1995 duket se nuk mbulohen ashtu siç duhen nevojat që sjell zhvillimi dhe koha që po jetojmë. Për këto ndryshime, të hënën është zhvilluar edhe një takim me anëtarë të qeverisë, Kryeministrin dhe përfaqësues të grupeve të interesit. 15 vite burg për këdo që cenon sigurinë ushqimore, paralajmëroi Kryeministri në të njëjtën tryezë.

15 vite burg, të cilat do të shoqërohen me heqjen përfundimtare të lirisë për t’u marrë me aktivitetin në fjalë edhe pas lirimit nga burgu. A janë këto masa të vonuara? Megjithatë, a janë këto masa shumë të ashpra? A e dëmtojnë këto masa prodhimin dhe ekonominë shqiptare?

Për të folur për këtë çështje e për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ishin të ftuar në “A2 Debat” Adnor Shameti, deputet i Partisë Socialiste dhe Luan Bregasin, President i “Biznes Albania”.

Luan Bregasi u shpreh se mbështet këto ndryshime, por në anën tjetër theksoi se mund të ketë një rritje të korrupsionit. Për të, më parë duhet të ishin forcuar institucionet e kontrollit.

“Ne e mbështetëm këtë projekt. Kjo iniciativë vjen në një kohë jo me ndonjë pasojë të madhe dhe kjo gjë është shumë e mirë. Ne kemi objeksionet tona për këtë projekt. Këto masa duhet të ishin të ashpra që në momentin kur ka nisur kjo punë, që në vitin 1990. Pikëpamja jonë është se ky projekt duhet të ecë paralel me një projekt tjetër për të rritur administrimin e institucioneve shtetërore të kontrollit. Ndonjëherë duket sikur shteti është i dobët për të kontrolluar dhe gjen një rrugë të shkurtër dhe kë kap në shkelje do të bëjë kaq vite burg. Paralelisht duhet menduar për përmirësimin e infrastrukturës dhe logjistikës kontrolluese dhe zbatuese të këtij ligji. Kjo mund të sjellë edhe një pasojë tjetër, mund të rrisë më shumë edhe korrupsionin. Mund të dënohesh deri me 3 vite burg për një produkt të skaduar në raft dhe një inspektor të ka në dorë jetën. Shteti duhet të kishte bërë më shumë për të forcuar institucionet e kontrollit”, u shpreh Luan Bregasin, President i “Biznes Albania”.

Ndërkohë, deputeti i PS, Adnor Shameti, u shpreh se ndryshimet ekonomike-shoqërore kanë sjellë edhe këto ndryshime në Kodin Penal në lidhje me sigurinë ushqimore.

“Këto ndryshime në Kodin Penal, në radhë të parë kanë lidhje me ndryshimet ekonomike-shoqërore që ndodhin. Kodi ekzistues është kopje e mirë e simotrave italiane. Çështja në fjalë nuk ka qenë e trajtuar si duhet. Në këto kushte duhet të pasqyrojmë si duhet sigurinë e komunitetit. Çdo shqetësim i konsumatorit duhet të gjejë pasqyrim në ligjet përkatëse”, tha deputeti i PS.

Shkarkoni aplikacionin e A2