Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Në Bardhoc, ku në mungesë të ujit të pijshëm qindra familje shfrytëzojnë kroin e fshatit

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2020, 16:15 | Aktualitet

Fshati Bardhoc Qendër në rrethin e Kukësit, edhe pse buzë rrugës së Kombit dhe vetëm 10 kilometra nga Kukësi, vuan prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre.

Fëmijë, gra, burra dhe të moshuar me bidonë në duar dhe me karroca vijnë çdo ditë në të vetmin krua të fshatit, për të mbushur ujë për të pirë dhe për t’u larë.

Banorët e fshatit kanë vetëm një mundësi për të pasur ujë

“Kemi 25 vjet që nuk kemi ujë, lekët i kanë marrë, por ujë nuk ka. Ujin e pijshëm e mbushim në kroin e fshatit”, thonë banorët.  

Pamjet që të kthejnë qindra vite pas, tregojnë më shumë se çdo ankesë të banorëve. Situata pranohet edhe nga vetë administratori i zonës, Bilbil Shahu, që thotë për A2 se “deri 5 vite më parë ka patur një depozitë të kohës së Enverit, por është e amortizuar tërësisht”.

Administratori Bilbil Shahu

Banorët i bëjnë apel bashkisë së Kukësit që të mundësojë sjelljen e ujit në banesat e tyre, pasi zona ka ujë të bollshëm por mungojnë investimet.

“I lutemi kryetarit të bashkisë Kukës Safet Gjici të na ndihmojë në këtë drejtim, sepse gjysma e fshatit është larguar pikërisht për mungesën e ujit të pijshëm”, thotë një i moshuar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë