Në Kamëz, ku përjetohet dimri i të varfërve

Dimri nuk është një stinë e përshtatshme, veçanërisht për familjet në vështirësi të mëdha ekonomike. Pamundësia për të siguruar bukën e gojës rëndohet edhe me vështirësitë për t’u përballur me temperaturat e ulëta. Jo shumë larg qendrës së Tiranës, një familje të moshuarish, mbijetojnë mes skamjes dhe acarit të këtij dimri.
Si në çdo cep të Shqipërisë, dimri ka pllakosur me vrull edhe në familjen Kurti, e cila banon në periferitë e Kamzës, aty ku varfëria është ulur këmbëkryq.
Por për Havanë, brenga më e madhe është bashkëshorti i saj 86-vjeçar Hyseni, i cili lëngon në shtrat, mes skamjes dhe sëmundjeve të shumta.
Plaku i shtëpisë është në mëshirë të fatit. I vetmi shpëtim për ta është rezistenca, pasi soba ndizet shumë rrallë.
Kujdesi i saj për Hysenin është impresionues. Kjo familje nuk e paguan energjinë elektrike prej viteve ‘90, kur ka ardhur aty nga Burreli dhe shteti duket se e ka mëshiruar, ndonëse borxhi kap vlera të larta.
Djali i madh i Hysenit, nga martesa e parë ndodhet në emigracion dhe ambientet ku jeton ia ka siguruar nipi.

Shkarkoni aplikacionin e A2