Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Në ndjekje të Covid-19

Nga A2 CNN
11 Maj 2020, 18:27 | Aktualitet
Në ndjekje të Covid-19

Askush nuk e kishte menduar se bota, pas më shumë se gjysmë shekulli, do të kishte një tjetër luftë. Kësaj here tërësisht ndryshe. Armiku ishte i padukshëm, u përhap kudo, pa llogaritur kufij, aleanca mes shtetesh, të vegjël apo superfuqi, strategji ushtrish e miliarda investime në armatime. Një virus, Sars-Cov-2, shpërtheu në Kinë e më pas në mbarë botën. Izolimi ishte arma e vetme e njerëzimit, por jo asgjësuese. Mjekët, ushtarët e vetëm në këtë betejë, janë të ndarë në fronte të ndryshme.

Lufta në Shqipëri filloi me pranverën. Dy rastet zero me koronavirus, pasuan dhjetëra të prekur, ankthin, frikën për ajrin që thithej, mbylljen në shtëpi. Spitalet u kthyen në funksion të epidemisë, ndërsa hetuesit nisën punën në terren.

Të prekurit me Covid-19 shtohen çdo ditë, vatrat e infeksionit po ashtu. Pas çdo sinjali nga 127, dhe mjeku i familjes, për raste të dyshuara, epidemiologët me të gjitha veshjet mbrojtëse, u kryejnë tamponin në shtëpi. Çdo 24 orë, mostrat e marra nga çdo zonë e dyshuar e vendit mbërrijnë në Tiranë, në laboratorin e vetëm për kryerjen e analizës së Covid-19.

Në Institutin e Shëndetit Publik specialistët janë mësuar të punojnë me viruset, më i riu është Covid-19. Respektojnë masat mbrojtëse dhe të gjitha protokollet e punës. Pasi marrin në dorëzim  mostrat, secila prej tyre kalon tre faza analizash në dhoma të veçanta të laboratorit. Fillimisht, bëhet inaktiv për të mos infektuar punonjësit që manipulojnë me mostrën.

Në fazën e dytë bëhet nxjerrja e materiali gjenetik të virusit Sars Cov-2. Më pas, materiali kalon procesin e fundit, ku përgjigjja pozitive jep një figuracion të veçantë në kompjuter. 6 deri në 8 orë i duhet stafit për të nxjerrë rezultatin e analizave.

Të dhënat i kalojnë shërbimit inteligjent shëndetësor, i ngritur po në këtë institut. Çdo person pozitiv dhe i dyshuar ka skedën online të të dhënave, me personat e afërt dhe kontaktet. Të gjitha këto informacione iu shpërndahen epidemiologëve në terren për të vijuar gjurmimin dhe hetimin e mëtejshëm.

Instituti i Shëndetit Publik i ka shpëtuar përpjekjeve të qeverive, si të djathta ashtu dhe të majta, për t’u reformuar. Sot, ky institucion është truri në betejën kundër Covid-19. Të gjitha masat nga izolimi deri te rihapja dalin nga këtu. Në historikun e epidemive, Shqipëria numëron shumë të tilla, por kjo e Covid-19 për specialistët është më rënda e 100 viteve të fundit. Për fat, thonë specialistët, në vendin tonë nuk pati mbivendosje epidemish.

Sipas specialistëve, kombinimi i frikshëm mund të ishte Covid-19 me fruthin, çka do të çonte në një vdekje të sigurt, . Edhe pse vëmendja është përqendruar te koronavirusi, në Institutin e Shëndetit Publik vijojnë diagnostikimet për viruset e tjera dhe sëmundjet emergjente. Por, pandemia e Covid-19 tregoi rëndësinë e vaksinave për parandalimin e shpërthimit të epidemive të tjera.

Edhe gjatë izolimit vaksinimi i fëmijëve ka vijuar, por më rregulla të reja. Specialistët thonë se prindërit refuzues duhet të nxjerrin mësime nga kjo pandemi. Pas një periudhe të gjatë izolimi bota po shkon drejt rihapjes graduale, por me një sjellje të re. 2020 do të jetë viti i distancimit fizik, pa puthje, pa përqafime. Shkencëtarët në botë vijojnë kërkimet për gjetjen e vaksinës kundër Covid-19 apo zbulimin e një ilaçi trajtues. Kjo pandemi i tregoi botës së fati ishte i njëjtë për të gjithë, ndërsa mjekët ishin ushtarët e vetëm në këtë betejë me virusin.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani