Nesho: Kosova do të drejtohet nga të rinj pa komplekse. Dialogu me Beogradin, nuk nënkupton lëshime

Ish-ambasadori shqiptar në Kombet e Bashkuara, Agim Nesho, bie dakord me cilësimin e referendumit, për sa i përket zgjedhjeve të sapo zhvilluara në Kosovë, si dhe një rezultat i mire për të gjithë sfidat e së ardhmes, ku “populli ka marrë në dorë fatin e tij, i drejtuar nga të rinj pa komplekse”.
Sipas ambasadorit, projekti politik i Kurtit tashmë ka mundësi të zbatohet deri në fund, jashtë kompromiseve të mundshme.
Një nga sfidat e javëve të para do të jetë marrëveshja për presidentin, ku mundësitë për Kurtin janë të shumta, përfshirë këtu një aleancë me AAK për kandidaturën e Haradinajt, por sipas Neshos vështirë se lideri i Vetëvendosje mund t’i shmanget “kurorëzimit” që natën e fitores i dha Vjosa Osmanit.
“Deklarata e Kurtit që ajo është presidentja vjen nga vota popullore dhe besimin që asaj i ka dhënë elektorati, për Kurtin do të ishte e vështirë të tërhiqej”, thotë ai, që shton se LDK-ja post Mustafa do të bënte një hap të duhur po të propozonte sërish Osmanin si një nga liderët e saj.
Tema tjetër e nxehtë për ekzekutivin do të jetë dialogu me Beogradin. Sipas tij, qasja e re amerikane, për hir të partneritetit me BE, do të jetë ai që t’i delegojë pikërisht Brukselit rolin e mediatorit.
“Kurti nuk i shmanget dialogut, ai kërkon që BE mos të bëj dialogun për hir të dialogut, por të vendosë atë që do të jetë produkti final i tij. Por domosdoshmëria për një marrëveshje nuk do të thotë të bësh lëshime, dhe këtë Kurti e ka bërë të qartë, në momentin që liderët e Beogradit kanë deklaruar se nuk do ta njohin kurrë Prishtinën”, thotë Nesho për A2.