Nexhmedin Spahiu: Teoritë e Cakajt për shkëmbimin e territoreve, do të ishin thikë pas shpine për Kosovën

Vendimi i bujshëm i presidentit Ilir Meta për mos të dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm ka patur sigurisht jehonë edhe në Kosovë. Nexhmedin Spahiu, publicist dhe njohës i mirë i dinamikave politike dhe sociale në Kosovë, i ftuar në A2 fillimisht e cilëson vendimin si “çështje e brendshme” e Shqipërisë, por zbret më pas në detajin e arsyeve, ku njëra sipas tij e bën legjitim vendimin e kreut të shtetit.
“Rinia e kandidatit dhe përvoja nuk janë arsye e qëndrueshme, sepse e njëjta gjë mund të thuhet për shumë ministra në Kosovë dhe në Shqipëri. Kurse dyshimet mbi qasjen e Cakajt për shkëmbimin e territoreve, janë të qëlluara”.
Dhe shpjegon përse. “Por ta teorizonte Trump ose Putin këtë ndarje, ne faktikisht nuk mund ta pengonim dot, por nuk i ka hija një ministri të jashtëm të Shqipërisë që ta përkrahë këtë gjë, qofte ai me origjine kosovare”.
Sipas Spahiut, teoritë e shkëmbimit territorial midis Kosovës dhe Serbisë janë “qëndrime armiqësore, që do të përjetoheshin si thikë pas shpine nga populli kosovar”.
Analisti pohon që edhe në Kosovë ka qëndrime pro shkëmbimit në fjalë, por sipas tij këto tregojnë “brishtësisë e shoqërisë kosovare, siç i ka patur Shqipëria në vitet 20 të shekullit të kaluar”.
Ai shton gjithsesi që në vetvete nuk do të kishte pengim që një kosovar të bëhej ministër, në Shqipëri, por diferenca e bën qëndrimi i Cakajt, shenjë “primitivizmi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2