Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

“Nga ‘dashuria’ me Kim Jong-un te Kosova”, Robelli: Marrëveshja në Uashington në funksion të fushatës së Trump

Nga A2 CNN
8 Shtator 2020, 14:22 | Kosova
“Nga ‘dashuria’ me Kim Jong-un te Kosova”, Robelli:

Obligim i ndërmjetësuar dhe normalizim ekonomik? Pse duhej ndërmjetësues amerikan për të arbitruar një relatë ekzistuese, në këtë rast raport ekonomik mes Kosovës e Serbisë e që kjo marrëveshje, nuk i jep progres zhvillimi, por ripërmend projektet dhe idetë ekzistuese që nuk morën hov praktik ndonjëherë? A mos vallë, vullneti i shtuar për implementim do të ketë katalizator zyrat e Uashingtonit? Pse duhej normalizim ekonomik, me firma që u hodhën për më shumë se të 60-n herë në negocimet bilaterale Kosovë-Serbi, në dokumentet e përveçme, që marrëveshjen, në qoftë e tillë, nuk e konsiderojnë më njëra-tjetrën, por me SHBA-në, të cilat nga ana e tyre, sigurojnë se nuk janë ata, garantët për vijimësi në praktikë të kësaj marrëveshje.

Për këto zhvillime foli në A2 gazetari e opinionisti nga Kosova, i cili kontributin intelektual e jep në gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger” si redaktor, Enver Robelli.

Ai u shpreh se marrëveshja e Uashingtonit nuk do të ketë një efekt të madh për Kosovën e Serbinë, por është në funksion të fushatës elektorale të Trump.

“Nuk është bërë ndonjë dëm i madh, dëmi më i madh do të ishte nëse do të kishte ndonjë pikë për ndryshimin e kufijve. Unë mendoj se kjo marrëveshje nuk do të ketë ndonjë efekt të madh në të ardhshmen, thjesht është në funksion të fushatës elektorale të Trump, i cili pas shumë përpjekjeve në arenën ndërkombëtare për të arritur ndonjë sukses, synoi një marrëveshje me Korenë e Veriut, ku deklaroi se pothuajse ishte dashuruar me Kim Jong-un, por dështoi dhe kështu u përkushtua në çështje të tjera. Kaloi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pastaj Grenell ka synuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbinë. Por, çmimi është i lartë, pasi kemi përsëritje të gjërave që Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord më herët”, tha Robelli.

Për Robellin, Richard Grenell ka qenë një protagonist i fushatës së Trump. “Është shumë e çuditshme që tani nuk u fol fare për atë linjën e famshme ajrore, që Grenell e pati prezantuar para disa muajsh. Me gjasa, kriza e pandemisë e bindi kompaninë gjermane që të mos e marrë në konsideratë fillimin e fluturimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ky është shembulli se si Grenell ka anashkaluar Europën. Ky shembull tregon edhe se Grenell ka qenë një protagonist i fushatës së Trump dhe jo aq i interesuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për problemet e Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Robelli.  

Por çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve në SHBA? “Unë besoj se fushata zgjedhore në SHBA do të bëhet me e zjarrtë dhe për këtë marrëveshje nuk do të flitet më, ose me vetëm ndonjë postim në Twitter të Grenell. Nëse në natën mes 3-4 nëntorit do të kemi lajme se Trump i ka humbur zgjedhjet kjo marrëveshje do të përfundojë në disa sirtarë të Shtëpisë së Bardhë, në disa sirtarë të administratës në Prishtinë dhe Beograd dhe askush nuk do të merret me të. Edhe nëse Trump do të fitojë zgjedhjet, unë nuk besoj se kjo marrëveshje përbën ndonjë bazë për zgjedhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani