Nga dëmtimi tek asist, Musolli rrëfen Kukësin: Objektivi është Kupa

Rikthimi nga dëmtimi i Besar Musollit ka rritur optimizmin në kampin e Kukësit me verilindorët që janë tashmë më të plotësuar në repartin difensiv.
Nga qëndrimi jashtë fushave për më shumë se 7 muaj e deri te rikthimi me asist, mbrojtësi 30 vjeçar ka rrëfyer për A2 CNN gjendjen aktuale dhe objektivat e Kukësit.
Musolli është ndër ata futbollistë që Kukësit i ka munguar së tepërmi sidomos në fazën finale të kampionatit. Dëmtimi i gjatë i marrë 7 muaj më parë e la jashtë fushave duke krijuar boshllëk në repartin e mbrojtjes. Por tashmë gjithçka i është kthyer normalitetit me 30 vjeçarin nga Podujeva që u aktivizua në ndeshjen ndaj Laçit duke dhuruar edhe asist-in e golit fantastik të Vesel Limaj.
“Ka qenë dëmtim i vështirë por e kam kaluar mirë, falënderoj të gjithë ata që më kanë mundësuar rikthimin. Nuk e kisha përvojën se çfarë është të kthehesh pas 7 muajsh, ndjesinë e topit”, thotë Musolli.
Mbrojtësi tregon vështirësinë që ka një përballje si ajo ndaj Flamurtarit por është i lumtur që këtë herë kjo ndeshje do të përgatitet nga një trajner si Ernest Gjoka me të cilin ai ka punuar prej kohësh.
“Ndaj Flamurtarit kemi patur gjithmonë vështirësi, trajneri i ri ka sjellë një qetësi në ekip. Gjithsesi koha do të tregojë”, deklaron ai.
Në fund mbrojtësi kampion në vitin 2017 i cili prej shtatë sezonesh vesh fanellën e Kukësit premton se skuadra do të luftojë për titull deri në momentin e fundit me shpresën se kundërshtari do të gabojë. Sidoqoftë sytë dhe vëmendja me apo pa vullnet kalojnë nga Kupa.
“Përderisa ekziston matematika shpresojmë, por 9 pikë janë shumë për ne për momentin, shpresojmë në ndonjë gabim. Objektivi jonë primar është kupa, por do të luajmë për të dyja kompeticionet”, përfundon lojtari i rikthyer i Kukësit.