Nis gara për Prokurorin e Përgjithshëm, Arta Marku e vetmja e zyrtarizuar për postin

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, është hapur vetëm me kandidaturën e Arta Markut. E zgjedhur nga Kuvendi me 64 vota, një vit më parë, Arta Marku i kërkon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, rikandidimin në postin drejtues të organit qendror të akuzës.
Genti Brahimi, kreu i KLP-së, thotë se pas 30 ditësh do të shpallin emrat e interesuar për garën e hapur për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm.
Sipas Ibrahimit përgjegjësia për të përzgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm me Kushtetutë i takon politikës, pra Parlamentit.
“Ne propozojmë tre kandidatët më të mirë , pastaj është Kuvendi që duhet të përzgjedhë kandidatin më të pranueshëm”, thotë Ibrahimi.
Deri më tani emrat me të përfolur janë ato të Arta Makut, vartësit të saj Adnan Xholi dhe prokurorit Olsian Cela. I gjithë procesi dhe rregullorja për garën e Prokurorit të përgjithshëm do monitorohet nga përfaqësues të huaj që asistojnë ngritjen e organeve te reja.
Përzgjedhja e tyre do të bëhet pasi në site të kalojnë dosjet e bujshme, ana profesionale si dhe integriteti.
Po sot KLP ka miratuar edhe rregulloren për ngritjen e prokurorisë së posaçme te hetimit. SPAK sipas Brahimit mund të nisë dhe me më pak se 10 prokurorë.
“Është garancia që ky institucion nuk do të jetë kurrë i nën furnizuar me personel”, saktëson kreu i KLP-së.
Brahimi foli për “kusure” që Këshilli duhet të mbajë për verifikimin e të shkuarës së kandidatëve për SPAK, si organi me i rëndësishëm të cilit do t’i besohen dosjet e nxehta.
“Jemi të detyruar të mbajmë kusuret e të tjerëve, jemi përgjegjës përpara opinionit publik, kështu që do të kryhet, do të kryhet nga anëtarët”, përfundoi Ibrahimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN