Pano Soko, aktivist i nismës “Thurje”, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se nisma anti KÇK “është dublim i ligjit antimafia dhe SPAK-ut”.
“Kemi ligjin antimafia që presupozohet të realizojë të njëjtën gjë si anti KÇK. E gjithë kjo zhurmë ishte një fasadë, thelbin e të cilës nuk e kuptoj. Rilindja e ka treguar se është “on the top” për çështje imazhi. Është dublim i ligjit antimafia dhe SPAK-ut”, tha Soko.
“Po përpiqen që ta mbulojnë plagën që duhet ta kishin luftuar në themel. Krimi e ka rrënjën te politika. Unë nuk besoj se do të shkojnë deri në rrënjë, pasi godasin veten. Shpresa më e madhe është sistemi i ri i drejtësisë. SPAK-u ndoshta mund ta bëjë”, shtoi Soko.
Në lidhje me aktivitetet e nismës “Thurje”, Soko u shpreh: “Kemi një takim masiv në 15 shkurt në Tiranë, me një set propozimesh që do të diskutohen me publikun. Dhe do të diskutojmë se çfarë i duhet vendit për të dalë nga kolapsi 30-vjeçar. Na duhet një ringritje si shtet. Kjo eksperiencë i ka bërë ekspertë njerëzit dhe të gjitha kanë diçka për të thënë dhe për të propozuar. Sa më shumë të diskutohet, aq më shumë vendime të mira do të merren”.