“Nisma” fillon rrugëtimin, Prifti: Jemi bashkimi vektorial i të gjitha mendjeve alternative

Një tjetër parti duket sikur po i bashkohet politikës shqiptare. Opinioni publik dhe mediat deri metani e kanë identifikuar me nismën Thurje, por pedagogu Rezart Prifti, pjesë e këtij subjekti të ri, saktëson për A2 të paktën këtë dilemë.
“Nuk jemi më në kërkim të emrit. Emri është Nisma, pastaj nisma për çfarë le ta vej ai që ka hall. Mund të jetë nisma për edukimin në Shqipëri, për reformën e tokës, për pensionistët që marrin 10 mijë lekë në muaj”, thotë Prifti , që shtjellon konceptin duke e cilësuar partinë si “bashkimi vektorial i të gjitha forcave dhe mendjeve alternative në Shqipëri: Nisma Thurje, Rudina, unë me Alternativen dhe të tjerë që do të bëhen të ditur besoj nga mesi i tetorit”.
Por çfarë krahu do të mbajë Nisma? “Nuk është çështje e majte apo e djathte. Para se të kemi luksi për të shkuar majtas apo djathtas, duket të dimë a duam të shkojmë lart apo poshtë, është zgjedhje midis së mirës dhe së keqes. Në Shqipëri paragjykojmë çdo nismë politike të re, por objektivi jonë është të ndryshojmë këtë vend, dhe nuk ka rëndësi nga vihet. Prandaj në vend që të copëtoheshim kemi menduar të bashkohemi ”, thotë pedagogu i Ekonomisë.
Sipas tij, listat e hapura e ndihmojnë Nismën sepse bëjnë të mundur zgjedhjen e personit, dhe jo të deleguarin e sistemit. “Nuk jemi pjesë e sistemit, edhe pse rrugës na thonë: Kush ju paguan? Nuk kërkoj që njerëzit të na besojnë, por të na dëgjojnë dhe të vlerësojnë platformën”, vijon ai.
Dje përfaqësues të Nismës kanë takuar edhe ambasadoren Youri Kim, një takim mbresëlënës, si vlerëson Prifti.
“Kisha kohë që nuk bëja në Tiranë një bisedë aq e angazhuar. Ambasadorja kishte disa sugjerime simpatike, por pjesa me e rëndësishme ishte ajo që të punojmë fort, të ruajmë deri në fund parimet e meritokracisë, por më e rëndësishme ishte parimi i “duhet ta bëni vetë”, pra që duhet të dalim vetë nga balta”.
Sipas tij, “formula magjike ka vetëm kryeministri i sotëm, për çdo gjë Ne nuk kemi formulë magjike, por vetëm punë, meritokraci dhe veprim. Vendi ka vajtur në një situatë qesharake, aq sa kryeministri me kafe turke pret një zonjë dhe përcjell zonjën tjetër, ndërkohë që kemi 8 vjet qe nuk diskutojmë për një strategji të arsimit të lartë ose një politikë ekonomike”.