Një dekadë dhunë, rastet më flagrante të futbollit shqiptar

Nisi me dhunë dhe bojkot nga gjyqtarët dhe vijon në të njëjtën mënyrë. Dekada e fundit është karakterizuar nga episode të papranueshme në futbollin shqiptar.

LAÇI-KASTRIOTI – Dhjetor 2011
Nga dhjetori i vitit 2011, kur në ndeshjen Laçi-Kastrioti u dhunua ish-gjyqtari, Lorenc Jemini. Ngjarja skandaloze bëri që edhe në atë periudhë, Shoqata e Arbitrave të bojkotonte për një javë kampionatin, në shenjë proteste.

BYLIS-LAÇI – Mars 2014
E rëndë edhe ngjarja e marsit 2014, në ndeshjen Bylis-Laçi. Tifozët vendas hodhën gjatë gjithë kohës gurë në fushë, ndërsa pas takimit, zyrtari i FSHF-së, Besnik Çela u godit me mjete të forta në kokë nga drejtuesi i klubit mallakastriot. Pas asaj ngjarje, Bylisi u bë skuadra e parë që u përjashtua nga kampionati për shkak të dhunës dhe u zbrit një kategori më poshtë.

VLLAZNIA-TIRANA – Shtator 2014
Në shtator të atij viti, stadiumi Loro Boriçi u shndërrua në arenë dhune, pas përplasjes masive të tifozëve shkodranë me mbështetësit e Tiranës. Vllaznia u dënua me 10 ndeshje pa tifozë, ndërsa Tirana me 15 ndeshje, pasi iniciatorë u cilësuan mbështetësit bardheblu.

PËRMETI-KËLCYRA – Dhjetor 2017
Të rënda edhe imazhet në ndeshjen e kategorisë së parë, Përmeti-Këlcyra. Takimi u ndërprenë minutat e fundit, prej dhunës barbare të lojtarëve miq ndaj gjyqtarit, pas akordimit të një penalltie.

SKËNDERBEU-PARTIZANI – Gusht 2018
Në këtë sezon, dhuna nisi prej javës së parë. Dueli ndërmjet Partizanit dhe Skënderbeut u ndërpre në mesin e pjesës së parë, pas përleshjeve të dy tifozerive. Ai ishte konfirmimi i parë, se largimi i policisë nga stadiumet përbënte një rrezik të madh.

KASTRIOTI-SKËNDERBEU – Shkurt 2019
Në shkurt të këtij viti, dhuna ndodhi para ndeshjes. Skënderbeu akuzoi se përpara takimit me Kastriotin, tre lojtarë u dhunuan nga tifozët ndërsa po hynin në stadiumin e Fushë Krujës.

PARTIZANI-FLAMURTARI – Shkurt 2019
Pak ditë më pas, tifozët e Partizanit hynë në fushë dhe dhunuan fotografin e Flamurtarit, ndërsa vlonjatët po festonin golin e barazimit të përkohshëm në mënyrën e tyre. Skenat në “Selman Stërmasi”, konfirmuan se rojet private nuk japin garanci gjatë incidenteve dhe se policia ndërhyn me shumë vonesë.

KAMZA-LAÇI – Mars 2019
Të gjitha problemet e këtij sezoni, përkufizohen me dhunën ndaj Eldorian Hamitit nëKamzë. Rojet private janë thuajse të pafuqishme, ndërsa policia në rolin e dikujt që po del shëtitje ndërhyn sërish me vonesë dhe pa efikasitet. Kjo ngjarje solli përjashtimin e Kamzës, bojkotin e radhës nga arbitrat dhe ndërprerjen e kampionatit. Sepse kështu nuk mund të vazhdohet më!

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN