Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Një ditë ndryshe për skuadrën e futbollit të Tiranës

Nga A2 CNN
26 Mars 2022, 10:27 | Futboll
Një ditë ndryshe për skuadrën e futbollit të

Një ditë ndryshe me skuadrën e futbollit të Tiranës. Pushimet nga kombëtarja i kanë shërbyer klubit bardheblu për t’u zhvendosur në aktivitete të tjera jashtë fushës së blertë.

Kryeqytetasit vizituan një nga kopshtet e Tiranës, ku me fëmijët dhanë mesazhe sensiblizuese për t’u përfshirë në aktivitete sportive.

Të veshur me bluzat e Tiranës dhe me flamuj bardheblu në duar, për të vegjlit ishte një ditë ndryshe. Fillimisht ishin pak të turpshëm, por më pas u miqësuan shpejt. Energjikë, të buzëqeshur dhe kuriozë për të parë çdo ndryshim në kopsht. Edhe pse ishin vetëm tre apo katër vjeç , ata dinin thuajse çdo këngë të skuadrës së Tiranës dhe me zë të lartë këndonin me djemtë bardheblu.

Me këngët e Tiranës në sfond, nisi dhe minifestivali i përgatitur nga fëmijët, ku në foksus ishte dashuria për skuadrën e tyre të zemrës.

Kur bardheblutë pyeten për titullin kampion, ata janë disi të rezervuar dhe modestë, ndërsa theksojnë se asgjë nuk ka mbaruar.

“Sigurisht që jemi favoritë për të fituar titullin, por për ne asgjë nuk ka mbaruar”, tha Gentian Muça.

Ndërsa Taulant Seferi u shpreh: “Frikë nuk kemi asnjë, por i respektojmë të gjithë. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të bëjmë detyrën tonë në 10 ndeshjet e mbetura”.

Nga ana tjetër, edhe stafi drejtues u shpreh se ky aktivitet nuk do të jetë i fundit për klubin e Tiranës, pasi nisma do të vijojë dhe në shkollat 9-vjeçare apo ato të mesme. 

Edhe Anila Bega, terapiste zhvillimi në profesion, tregoi se sporti merr një tjetër rëndësi tek ky brez që po rritet, duke qenë se dy vitet e pandemisë kanë ndikuar jo pak tek ata.

Klubi i Futbollit Tirana dhe Akademia e Futbollit Tirana ndërmori hapin e parë drejt nismës së rëndësishme të ndërthurjes së sportit dhe edukimit. Kryeqytetasit ftojnë të gjitha klubet dhe të gjitha sportet që të ndihmojnë në rritjen e frymës sociale tek këta të vegjël, që me fanatizëm ruajnë brenda tyre dashurinë për futbollin.

A2 CNN Livestream

Dita jonë