Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Një gjeneral i vrarë, sulme me raketa dhe një avion me 176 civilë i rrëzuar, kapitulli më i fundit i krizës SHBA-Iran

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2020, 19:22 | Aktualitet

Marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë qenë të tensionuara përgjatë 3 dekadave të fundit, pas krizës së pengjeve të viteve 80-81, ku mbi 50 amerikanë u mbajtën peng për 444 ditë, në ambasadën amerikane në Teheran. Por çfarë shërbeu së fundmi, si nxitje për konfliktin e radhës?

Sot në “Dëshmi”, do të fokusohemi në krizën e fundit, dhjetor 2019-janar 2020. Shumë ka ndodhur për gati 50 ditë. Rikthejmë të përmbledhur konfliktin e këtij viti.

“Sulmi mbi një objekt në Irak, ndodhi pas kërcënimit mbi forcat amerikane. Kjo gjë ka ndodhur për javë të tëra. Ky nuk ka qenë sulmi i parë mbi objekte të tilla, duke vënë në rrezik jetët e amerikanëve. Dhe sot, ajo çka ne bëmë, ishte marrja e një përgjigje deçizive, për të bërë të qartë atë çka presidenti Trump ka thënë për muaj me radhë, që ne nuk do të presim që Republika Islamike e Iranit të ndërmarrë aksione, për të vendosur amerikanët në rrezik”, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pas sulmit kundër ambasadës amerikane në Bagdad.

Irani tha se aksionet në Irak janë të papranueshme. “Pavarësisht faktit se amerikanët janë qindra kilometra larg kufirit të tyre, me pretekstin se po mbrojnë të drejtat e tyre, kanë zhytur në gjak popullin e Irakut dhe Sirisë. Aksionet e fundit të ndërmarra nga amerikanët në Irak, janë të papranueshme. Amerikanët e bëjnë këtë gjë por Irani dhe Rusia vijojnë përpjekjet e tyre për të vendosur paqen në Siri dhe Irak. Bashkëpunimi mes dy vendeve tonë, është një provë e qartë për këtë”, do të shprehej Mohammad Javad Zarif, ministër i Jashtëm i Iranit.

Milicia dhe protestuesit hodhën gurë e ndezën zjarr përqark kompleksit të ambasadës amerikane në Bagdad, duke nxitur kështu një tjetër konflikt, diplomatik më shumë sesa luftarak ndërsa personeli i ambasadës qëndronte i mbyllur brenda.

Presidenti amerikan Trump tha se Irani do të paguajë një çmim vërtet të madh, nëse shënohet ndonjë incident, në të cilin ndonjë shtetas amerikan mund të humbasë jetën. “Ambasada amerikane në Irak është dhe ka qenë prej orësh, e sigurt. Shumë nga luftëtarët tanë të mëdhenj, së bashkë me pajisjet më vdekjeprurëse ushtarake në botë, ka qenë menjëherë në vendngjarje. Falënderoj Presidentin dhe Kryeministrin e Irakut për përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesës sonë”, shkruante Trump në Twitter. “Irani do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo humbje në jetë njerëz dhe çdo dëm që do të shënohet në objektet tona. Ata do të paguajnë një çmim vërtet të madh. Ky nuk është një paralajmërim, është një kërcënim. Gëzuar vitin e ri”.

Forcat e marinës mbërritën në ambasadën amerikane në Bagdad, duke e rrethuar atë. Ndërsa protestuesit vijonin të hidhnin bomba Molotov, përqark ambasadës.

Lideri Iranian Khamenei i dënoi fuqimisht sulmet amerikane mbi Irak. “Amerikanët, shihni se çfarë bëjnë ata në Irak dhe Siri. Ata flasin për hakmarrje të ISIS ndaj forcave paramilitare të Al Shaabi sepse ata shkatërruan ISIS, grup të cilin vetë Amerika e krijoi. Në fakt, ata për këtë po hakmerren. Po përdorin diçka tjetër si justifikim, po sulmojnë tokën irakiane, duke vrarë dhjetëra njerëz. Qeveria iraniane, kombi ynë dhe unë, dënojmë fuqimisht sulmet dashakeqe amerikane”.

Por çfarë e nxiti edhe më tej konfliktin? Pas një sulmi me raketë, ushtria amerikane vrau komandantin e Forcave Revolucionare Al Quds të Iranit, gjeneralin Kasem Sulejmani. Lajmin e publikoi më 2 janar vetë Pentagoni, duke shtuar se Sulejmani po zhvillonte, në mënyrë gjithnjë e më aktive, një plan për të sulmuar amerikanët kudo që ndodheshin, në Irak dhe në Lindjen e Mesme.

“Nën drejtimin e Presidentit, ushtria amerikane ndërmori një aksion vendimtar mbrojtës për të mbrojtur personelin amerikan, duke vrarë Kasem Sulejmanin, kreun e Gardës Revolucionare Iraniane, një organizatë e huaj terroriste. Gjenerali Sulejmani po zhvillonte në mënyrë aktive një plan për të sulmuar diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe kudo tjetër në atë rajon. Ky sulm synonte të të pengonte planet për sulmet e ardhshme. SHBA-të do të vazhdojnë të ndërmarrin sulme të tilla të ngjashme, për të mbrojtur qytetarët tanë dhe interesat tona, kudo në botë”

Deklaratë nga Departamenti i Mbrojtjes

Tashmë konflikti ish ndezur edhe më shumë, ndërsa protestat kishin nisur pas vrasjes nga forcat amerikane të gjeneralit Kasem Sulejmani. Presidenti Trump mbronte qëndrimin e tij në lidhje me planet për të ardhmen të Iranit. Për këtë, edhe vrasjen e gjeneralit, kreu i shtëpisë së bardhë e quajti një vendim të drejtë. “Amerika e vrau Sulejmanin e Iranit, për ti dhënë fund luftës, jo për të nisur një të re” u shpreh Trump.

Kasem Sulejmani, Gjenerali iranian i vrarë nga amerikanët

Lideri Iranian Khamenei, i cili ende nuk ishte shprehur publikisht për ngjarjen, vizitoi shtëpinë e general Sulejmanit. Iraku organizoi funeralet për personelin e milicisë Shiite, të vrarë. Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, iu bashkua mijëra protestuesve, të mbledhur në Bagdad, në një marshim në nder të gjeneralit të vrarë, Kasem Sulejmani dhe komandantit të milicisë irakene, Abu Mahdi al-Muhandis, të cilët ishin vrarë pak ditë më parë nga një sulm i ushtrisë amerikane, sulm i cili mjaftoi për të nxitur një konflikt të ri në lindjen e mesme. Lideri i Hezbollah, Sayyed Hassan Nasrallah, tha më 5 janar, se ushtria amerikane në Lindjen e mesme, do të paguajë një cmim për vrasjen e Sulejmanit, duke paralajmëruar një çmim për këtë.

Parlamenti në Irak thirri qeverinë, në të njëjtën ditë, për të punuar, me synimin për t’i dhënë fund pranisë së trupave të huaj ushtarakë në vend, në një përgjigje të parë zyrtare pas vrasjes së Sulejmanit. Ndërsa OKB bënte thirrje për ndalimin e përshkallëzimit, NATO u pozicionua krah Shteteve të Bashkuara. “Gjatë mbledhjes së sotme, aleatët bënë thirrje për vetëpërmbajtje dhe mos përshkallëzim të situatës. Një konflikt i ri, nuk do të ishte në interes të askujt”, tha Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Ndërkohë, Parlamenti Iranian e përshkroi Pentagonin si një entitet terrorist ndërsa miratoi rritje të shpenzimeve për forcat ushtarake Quds, të drejtuara deri pak ditë më parë nga Gjeneral Kasem Sulejmani. Trump paralajmëroi përsëri se Shtetet e Bashkuara do t’i binden çdo ligji ndërkombëtar, nëse Irani vendos të hakmerret. “Shihni të shkuarën e tij, e kanë quajtur mostër dhe ai ishte një mostër në fakt. Sot nuk është më mostër. Ai është i vdekur. Kjo është një gjë e mirë për shumë vende. Ai po planifikonte sulme vërtet të mëdha, për ne dhe shumë të tjerë. Dhe ne e ndaluam”, tha Presidenti amerikan. “Mendoj se kemi bërë një punë vërtet fantastike por duam Iraku të jetë i aftë të merret me punët e tij dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Situata u përshkallëzua edhe më tej. Irani nisi një sulm mbi forcat amerikanë në Irak, bëri të ditur ushtria amerikanë me 7 janar, duke shtuar se Teherani lëshoi më shumë se një duzinë raketa balistike nga territori Iranian drejt dy bazave amerikane në Irak, në të cilat strehohej personeli i koalicionit, drejtuar nga SHBA-të.

Lideri supreme i Iranit tha se sulmet me raketa ishin shuplaka në fytyrë për SHBA-të. “Amerika hëngri një shuplakë të mirë mbrëmjen e kaluar”, u shpreh Ajatollahu Ali Khamenei.

Donald Trump deklaroi menjëherë se nga sulmet në Irak nuk pati viktima ndërsa paralajmëroi sërish se nuk do të përdorë më shumë forcë. “Për sa kohë unë të jem President i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do të lejohet kurrë të ketë një armë nukleare. Mirëmëngjes. Jam i lumtur t’iu informoj se  populli amerikan duhet të jetë ekstremisht mirënjohës dhe i lumtur. Asnjë amerikan nuk u lëndua mbrëmë nga sulmi i regjimit Iranian. Nuk patëm asnjë dëmtim. Të gjithë ushtarët tanë janë të sigurt dhe në bazat tona ushtarake pati vetëm dëme minimale. Forcat tona ushtarake janë të përgatitura për gjithçka. Irani duket se po mposhtet, kjo është një gjë e mirë për të gjithë botën. Asnjë amerikan apo irakiann nuk humbi jetën për shkak të masave paraprake që u ndërmorën dhe falë sistemit paralajmërues, që në këtë rast, punoi shumë mirë”.

Presidenti turk Tayyip Erdogan tha më 8 janar se Ankaraja po punon për shkrirjen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, përmes kanaleve të saj diplomatike. “Pavarësisht daulleve të luftës, ne po përpiqemi të shkrijmë tensionet, duke përdorur kanalet tona të diplomacisë, në këtë periudhë kritike. Kemi bërë shumë telefonata, me shumë liderë, përgjatë javës së shkuar. Ministri ynë i jashtëm po zhvillon një sërë takimesh diplomatike, me homologët e tij. Ne synojmë të ulim tensionet dhe të krijojmë një mundësi bashkëpunimi”, u shpreh Erdogan.

Trupi i gjeneralit të vrarë u varros në Iran. Nuk do të kalonte shumë, kur një tjetër ngjarje e rëndë do të shënohej, si për t’i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit. Një avion ukrainas u përplas në Iran, duke shkaktuar vdekjen e 176 pasagjerëve në bord. Një avion ukrainas u përplas në Iran, duke vrarë 176 pasagjerë në bord, me shumë gjasë është rrëzuar nga një raketë iraniane, tha kryeministri kanadez Justin Trudeau më 9 janar, duke cituar inteligjencën kanadeze dhe burime të tjera.

 Irani mohoi akuzat. Madje, shtoi presionin dhe akuzat ndaj SHBA, në një fjalim të zjarrtë nga salla e OKB-së. Por disa ditë më vonë, Presidenti iranian pranoi ditë më vonë fajin, duke shprehur keqardhjen për atë që e konsideroi një gabim njerëzor. “Hetimi i brendshëm i forcave të armatosura doli në përfundimin se fatkeqësisht, avioni është qëlluar nga dy raketa. Gjithçka ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor, që shkaktoi përplasjen e tmerrshme të avionit ukrainas dhe vdekjen e 176 njerëzve të pafajshëm. Republika Islamike e Iranit shpreh keqardhjen për këtë gabim katastrofik. Mendime dhe lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta”, do të shprehej Hassan Rouhani.

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Iranit kanë qenë gjithnjë të ndërlikuara. Në 65 vjet, mes dy shteteve ka pasur vetëm konflikte, të përshkallëzuar edhe në terren, konflikte që kanë shkaktuar humbje në jetë njerëzish dhe acarime retorike, aq sa bota po mendonte se ishte në prag të një luftë të re. i tillë ishte përjetimi edhe këtë fillim-viti, kur situata po precipitonte çdo ditë e më shumë. Por pas lajmeve se Irani merrte përsipër përgjegjësinë për rrëzimin e avionit ukrainas, Donad Trump nxitoi të dalë sërish përpara mediave, këtë herë triumfues. “Duke qenë se po flasim për protestuesit, e keni parë se çfarë po ndodh në Iran? Protestuesit janë në anën tonë. Për herë të parë. Apo jo? Ata janë me ne. në fakt, ata vendosën në rrugë flamuj amerikanë dhe iranianët, qindra e mijëra iranianë mendohej se duhej të dilnin në rrugë, ta tërhiqnin zvarrë këtë flamur, ta shkelnin e ta digjnin. Ata e duan Trump. Ata ju duan juve. Unë jam përfaqësuesi juaj por ata na duan. Ata nuk e kanë parë një gjë të tillë prej shumë kohësh. A e patë? i vijnë rrotull flamurit amerikan. Nuk donin që ta preknin. Ata e duan Amerikën. Ata e duan vendin tuaj. Unë këtë e quaj progres. Le ta quajmë progres”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë