Një vit nga Konferenca e Donatorëve, Mariani: Grantet janë vënë në zbatim. BE është këtu

Ndërkohë që ka kaluar një vit nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel për rindërtimin, shefi i bashkëpunimit në BE Mario Mariani tregoi se ku janë aplikuar fondet e Bashkimit Evropian. I ftuar në “Dita Jonë” ai theksoi se 115 milionë euro grante janë për arsimin edhe trashëgiminë kulturore.

“Janë 115 mln euro në grante, 100% donacione në dy fusha; arsimi dhe trashëgimia kulturore 75 milionë euro për arsimin dhe 40 milionë për trashëgiminë kulturore”.

Mariani tha se koncepti europian është të nxënit dhe ndërtimi i shoqërisë, dhe në këtë këndvështrim ai theksoi se aktualisht po punohet për 18 shkolla e kopshte, ndërkohë që për 3 muaj do të kemi 7 të tjera dhe 6 të tjera do të nisin punimet.

“Për momentin po punohet në 18 shkolla, disa janë qendra kopshte e mensa, në 18 vijojnë punimet dhe për 3 muaj do kemi edhe 7 të tjera dhe 6 të tjera që do të nisin punimet. Kemi kapur ritmin dhe do t’i intensifikojmë. Ne bashkë me qeverinë kemi hartuar dëmet dhe ndikim e dëmeve te fëmijët, nxënësit, mësuesit dhe në aspektin e rëndësisë së investimit në shkolla që presin një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. Kjo është pjesë e asaj që ne jemi; koncepti i të nxënit gjatë gjithë jetës është evropian dhe fakti që janë thelbësore për të ndërtuar një shoqëri”.

Sipas Marianit, reagimi i parë duhet të vijë nga sistemi kombëtar, ndërkohë që ndërkombëtarët luajnë rol themelor duke ofruar burime financiare dhe standarde europiane. Për shkollat tha ai është thelbësore të ndërtohen nga e para që t’u rezistojnë katastrofave.