Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Nju-Jorku bëhet portokalli nga tymi i zjarreve në Kanada, amerikanët u rikthehen maskave

Nga A2 CNN
8 Qershor 2023, 13:02 | Bota
Nju-Jorku bëhet portokalli nga tymi i zjarreve në Kanada,

Miliona njerëz në Amerikën e Veriut do t’u rikthehen maskave me nivel të lartë mbrojtjeje, N95, këtë herë jo për shkak të Covid-19, por për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur si pasojë e zjarreve masive në Kanada.

Nju-Jorku do të shpërndajë maska falas, teksa autoritetet paralajmëruan se kushtet e rrezikshme të tymit do të vijojnë edhe përgjatë fundjavës. Kathy Hochul, guvernatore e Nju-Jorkut, u shpreh: “Besojmë se maska N95 është një mënyrë e rëndësishme për të mbrojtur njerëzit, e për të parandaluar grimcat e ajrit të shkojnë në mushkëri. Prandaj, po njoftoj mundësimin e 1 milion maskave N95, që do të shpërndahen falas për qytetarët”. 

Një mjegullnajë portokalli ka mbuluar Nju-Jorkun, duke i bërë gati të padukshme atraksionet e tilla si Statuja e Lirisë. Në total, miliona njerëz janë prekur nga një lloj paralajmërimi për cilësinë e ajrit. Ekspertët e kanë klasifikuar cilësinë e ajrit si të pashëndetshme, veçanërisht për personat me probleme në frymëmarrje dhe kanë rekomanduar që të kufizohen sa më shumë daljet jashtë.

Eksperti i shëndetësisë Jack Caravanos tha: “Këshilloj njerëzit të qëndrojnë brenda. Edhe pse ajri do të gjejë mënyrën për të depërtuar, nivelet do të jenë të reduktuara. Gjithashtu, nuk është koha për të luajtur tenis apo për të vrapuar. Trajtojini mirë mushkëritë dhe mos bëni asgjë që kërkon frymëmarrje të thellë”. 

Parqet zoologjike në Nju-Jork kanë zhvendosur kafshët në ambiente të brendshme, janë anuluar gjithashtu një sërë aktivitetesh jashtë, përfshirë edhe në Broduej. Masa të ngjashme ka marrë edhe Uashingtoni, ku është aktivizuar niveli i kuq i ndotjes së ajrit. Pjesa më e madhe e smogut vjen nga Kebeku, ku po digjen 150 vatra zjarri. Më shumë se 15 mijë banorë pritet të evakuohen në këtë rajon. Ekspertët në Kanada paralajmërojnë se kushtet po përkeqësohen edhe në Toronto, ku gjithashtu qytetarët janë udhëzuar të mbajnë maska. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu