“Non grata” në SHBA, por Doshi, Llalla dhe Dako të paprekshëm nga drejtësia shqiptare

Deri kur Departamenti Amerikan i Shtetit e përfshiu në listën e zezë të zyrtarëve të korruptuar, ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla nuk pati asnjë problem me drejtësinë.
Përplasja e fortë me ish ambasadorin Donald Lu duket se i kushtoi ish kryeprokurorit, jo vetëm mohimin e vizës për të dhe familjen e tij, por edhe nisjen e një hetimi më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Të dhënat dolën nga faza paraprake e vetingut, për një sipërfaqe toke. Por prokurorët nuk po kolaudojnë në asnjë rezultat, megjithëse i kanë shtyrë dy herë hetimet dhe Llalla nuk është marrë asnjëherë në pyetje.
Për ish deputetin socialist Tom Doshi situata është akoma më konfuze se ku është i përfshirë në korrupsion. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur “Non Grata” atë dhe familjen e tij por deputeti i Shkodrës nuk është hetuar kurrë më parë për korrupsion në Shqipëri.
Të vetmet akuza ishin ato të deklarimit të rremë të pasurisë që u pushuan nga gjykata e Tiranës por edhe hetimi për skenarin e vrasjes së tij, ku u përfshi Ilir Meta, në atë kohë Kryetar i Kuvendit.
Edhe Vangjush Dako, ish kryetar i Bashkisë se Durrësit, mbetet i pastër përballë drejtësisë shqiptare. Emri i tij nuk rezulton në asnjë dosje për korrupsion, megjithëse u përfshi në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
U desh publikimi i audio-përgjimeve të dosjes 339 nga gjermania Bild, që Dako të pyetej në Prokurori për marrëdhëniet e tij me disa të arrestuar në Durrës dhe Shijak. Pavarësisht kësaj ai është pjesë e kryesisë së Partisë Socialiste dhe vazhdon të ruajë të njëjtin ndikim në degën e kësaj partie në Durrës.
Lista e Departamentit Amerikan të Shtetit mund të shtohet me emra të tjerë të zyrtarëve të lartë, por drejtësia shqiptare do të marrë kohën e saj për të reflektuar. Deri atëherë, mbeten vetëm paralajmërimet për korrupsionin që Prokuroria e ka të vështirë ta gjejë dhe gjykata të pamundur ta ndëshkojë.

Shkarkoni aplikacionin e A2