“Notre Dame de Tiranë”, imazhet e Avni Delvinës që dalin në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Ai ka braktisur penelin, për të na rrëfyer mes disa imazheve një mesazh të rëndësishëm. Avni Delvina sjell katedralen shqiptare, “Notre Damin e Tiranës” të përkthyer në imazhe që zhvishen nga personazhet origjinale, por përcjellin mesazhe edhe më origjinale.
E vendosur në ambientet e Teatrit Kombëtar, ekspozita e artistit Avni Delvina ngërtheu jo vetëm botën artistike që atyre që sot në qëndresën e tyre e mbrojnë artin me art, por edhe politikën.
“Në çdo vend teatri është simboli i kombit, siç kanë flamurin, monedhën, absolutisht një nga simbolet e kombit është teatri kobtar, që duan ta rrafshojnë Neronët e babëzisë dhe korrupsionit”, u shpreh Sali Berisha, i pranishëm në ekspozitën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërkohë nënvizoi se “domethënëse fakti që ekspozita zhvillohet në Teatrin Kombëtar, ku prej një viti vazhdon një rezistencë unike në Europë, ku përballen tirania e yshtur me paratë e drogës dhe korrupsionit dhe aspekti më i lartë por dhe më i brishtë i një kombi, si është arti.
Teatri që mbledh kaq shumë dashamirës vetëm kur shfaqen uniformat blu apo një kryevepër ngjitet në skenë, këtë fundjavë ka mirëpritur të gjithë ata që qëndresën e mbështesin edhe me këto imazhe.
Mes figurave politike, në Notre Damin e Tiranës së Avni Delvinës, një peshë të rëndë mbartin edhe figurat femërore që e mbrojnë atë. Roza Anagnosti është një prej tyre, që edhe ditëlindjen e festoi mes këtyre mureve.
Kjo është përpjekja e dytë e artistit që më herët ka bërë publike edhe të tjera imazhe që përçojnë të njëjtin mesazh, të mbrojë me art, artin që është bërë në këtë ndërtesë.

Shkarkoni aplikacionin e A2