Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Nuk u përjashtova nga Parlamenti për lëpirëset”, Gjoni tregon arsyen e vërtetë pse u pezullua për 10 ditë

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 09:54 | Politikë
“Nuk u përjashtova nga Parlamenti për

Deputeti i pavarur Ralf Gjoni, në studion e “Dita jonë” në A2, deklaroi se arsyeja e vërtetë pse u përjashtua për 10 ditë nga Parlamenti është se donte t’i drejtonte disa pyetje Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të merrte “përgjigje transparente” në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Unë, sipas rregullores së Kuvendit, kam kërkuar që t’i bëj pyetje Komisionerit për të Drejtën e Informimit se përse nuk ka vepruar për të detyruar Bashkinë e Tiranës që të bënte transparencë të plotë për procedurat e ndjekura për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Çdo qytetar i Shqipërisë ka të drejtë të informohet nga një organ publik, qoftë Kryeministria apo Ministria e Drejtësisë. Brenda 15 ditësh, autoriteti publik duhet të japë informacion. Nëse nuk merr përgjigje nga organi publik, mund të ankimojë mungesën e informacionit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Dje thanë se u përjashtova për fjalimin tim me lëpirëse, por unë u përjashtova sepse doja të ngrija disa pyetje ndaj komisionerit dhe të merrja përgjigje transparente”, tha Gjoni.

Deputeti shtoi se fakti që opozitës i mbyllet goja me kaq arrogancë, do të thotë se mazhoranca ka frikë.

“Nuk do e mendoja kurrë se edhe kur kemi mbetur kaq pak zëra opozitarë, të na mbyllej goja në mënyrë kaq agresive dhe arrogante. Kjo tregon se mazhoranca ka frikë. Nuk e shpjegoj dot ndryshe këtë zell të Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës. Unë kërkova bashkë me Rudina Hajdarin për një interpelancë për Teatrin me kryeministrin, që duhet të zhvillohet sot. Gjithashtu, të enjten e kaluar i bëra thirrje mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor në Parlament, pasi besoj se shembja e Teatrit duhet hetuar në Parlament. Për t’i dhënë jetë këtij komisioni na duhen edhe disa vota nga mazhoranca, që nuk besoj se do t’i kemi”, u shpreh Gjoni.

Kur u pyet nëse opozita parlamentare do të formonte një forcë politike, Gjoni tha: “Kam pasur flirtime gjatë gjithë kësaj kohe nga të treja forcat politike, por ju garantoj që nuk kam as interes dhe as dëshirë që të garoj me një nga forcat aktuale politike, në formën aktuale që ato janë. Nëse do të ndryshonte lidershipi, do e konsideroja. Kjo do të thotë se ne do të punojmë për të ngritur një ekip dhe do të shohim se çfarë mbështetjeje qytetare do të gjejmë në muajt në vazhdim. Jo të gjithë jemi në një projekt dhe nuk ndajmë të njëjtat vlera. Mund të them që nuk është e lehtë të gjesh një emërues të përbashkët përsa i përket vlerave që ne përfaqësojmë. Projekti ynë do të përbëhet vetëm nga njerëz të pastër, që nuk kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit, që nuk kanë pasur aludime për korrupsion dhe përfshirje në vjedhje të parave publike”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani