Opozitë e re në Kuvend? Salianji i KQZ-së: Partitë nën pragun e 3% nuk gëzojnë mandatet e “djegura”

Opozita dorëzoi dje zyrtarisht mandatet pranë kryesisë së kuvendit dhe beteja e ardhshme pritet të zhvillohet në komisionin qendror të zgjedhjeve. Por cili do të jetë fati i 56 mandateve të dorëzuara deri në këtë moment? Për ta shteruar teknikisht si edhe nga ana ligjore çështjen e dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës në studiot e A2 ishin të pranishëm z. Kristaq Kume, ish kryetar i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve dhe Eridian Salianji, përfaqësues ligjor i PS-së në KQZ.

Përtej pjesës teknike të dorëzimit të mandatit, ku për Kumen akti i përcjelljes së kërkesave në KQZ përbën “ akt normal” të Kuvendit, ngërçi i vërtetë është përgjigja e pyetjes: Çfarë do të ndodhë më e vonë?

Lexo edhe: Hera e fundit e djegies së mandateve? “Në kohën e Mussolinit dhe në Çekinë komuniste”
Sipas Salianjit socialist, kur të hyj në lojë KQZ-ja, do të ketë të bëj me një situatë “ekstra zgjedhore dhe ekstra demokratike” ku “ ata që e kanë nisur këtë betejë nuk e di a e kanë idenë sesi vazhdon”.

Për përfaqësuesin e PS-së në KQZ, procesi mund të jetë i gjatë, dhe jep shembullin e Qarkut të Tiranës, ku është e qartë se mandatet e Partisë Demokratike do t’i shkojnë përsëri atyre, por “ do të paraqitet një listë me 12 deputetë që do të pyeten nga Kuvendi, lista po u refuzua do të shkojë në KQZ, dhe do të kalojnë 30 ditë vetëm për këtë listë” , dhe më pas do të vijë lista e dytë, e tretë deri në shterim të listës.

Ndërkohë, disa eksponentë të partive të vogla që nuk përfaqësohen në Parlament, si Libra ose Sfida, kanë pretenduar që mandatet mund t’i kalojnë atyre, por Salianji e mohon këtë mundësi. “Ligji e ka përcaktuar qartë që për të marrë mandatin duhet kaluar pragun e 3%”. PDIU është partia e vetme që e ka kaluar këtë prag në disa Qarqe, por gjithsesi ajo nuk është në koalicionin opozitar. Ndërkohë që për këtë parti do të diskutohet në KQZ, Salianji është i qartë që “partitë që nuk e kanë kaluar këtë prag nuk mund të pretendojnë për mandate”.

Kume e komenton këtë fakt duke nënvizuar se “ ligjvënësi nuk i ka parashikuar të gjitha rastet, pra nuk ka bërë një punë të mirë”. Për të mundësitë janë dy, o një ekzekutiv që qeveris me numrat që ka, ose ka zgjedhe të parakohshme, që sipas tij mund të verifikohet vetëm në qoftë se kërkesës së opozitës i bashkohet kërkesa e popullit, me një krizë shoqërore” që mund të shpaloset jashtë sallës kuvendore.

Një proces i rrezikshëm sipas Salianjit, sepse “proceset politike nuk mund të vinë të imponuara”.

Shkarkoni aplikacionin e A2