Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

OSCAL, takimi për internet falas

Nga A2 CNN
25 Qershor 2022, 19:34 | Teknologji
OSCAL, takimi për internet falas

Gjetja e mundësive për të shpërndarë internet falas për gjithkënd, pa u kushtëzuar nga rrjetet gjigande, mblodhi në Tiranë mbi 300 persona të interesuar rreth këtij zhvillimi. Konferenca 2-ditore, në edicionin e saj të shtatë, organizuar nga “OSCAL ALBANIA” solli në kryeqytetin shqiptar specialistë nga Gjermania, Britania e Madhe, Holanda, Italia, etj. Shumë prej pjesëmarrësve ishin sponsorë të rrjeteve të pavarura të internetit që duan ta përhapin këtë frymë edhe në Shqipëri. Folësit shpjegonin sesi kishin arritur të krijonin software të fuqishëm që mundësojnë internet me kod të hapur, çka ishte edhe fokusi i kësaj konference.

“Kodi i hapur ka shtuar mundësitë për alternativa të tjera në Shqipëri”, u shpreh Silva Arapi, organizatore e konferencës.

Por duket se shqiptarët edhe pse të motivuar për të ndjekur këto zhvillime të teknologjisë europiane, kanë ende për të bërë në këtë aspekt.

“Ajo çfarë kam vërejtur këtu në Shqipëri është fakti se ka diferenca të mëdha mes zonave urbane dhe ato rurale, përsa i përket aksesit në teknologji dhe në internet, në internet të shpejtë dhe falas, por sistemet tona funksionojnë edhe ofline, pra nuk nevojitet internet i shpejtë për të dhënë kontribut”, deklaroi Mike Sounders, koordinator marketingu.

Në këtë konferencë ku A2 CNN ishte partner mediatik, pati edhe përfaqësues të agjencive qeveritare, zhvillues, akademikë apo edhe grupe vullnetare. Në sallën e madhe folësit detajonin inovacionet apo zhvillimet e reja dhe ambienti relaksues i jepte kësaj konference një ton disi më të çtensionuar, ndonëse serioziteti mbetej aty. Stafi vijonte mbledhjet në dhomën tjetër, ndërsa aspekti praktik pasqyrohej pikërisht në këtë ambient, ku kompanitë prezantonin projektet e tyre dhe të interesuarit mund të drejtonin pyetje. Një nga projektet më interesante ishte një robot që kur të zhvillohet plotësisht do të jetë në gjendje të dërgojë emaile.

“Ky është Zexas Carbonio, community edition dhe ne jemi këtu në OSCAL për ta prezantuar. Është një software totalisht me burim të hapur dhe ai është maskota jonë. Është i përbërë nga pjesëza dhe gjëja e rëndësishme është që këta robotë nuk funksionojnë vetë, pra ne zhvillojmë një software dhe klienti ka kontroll absolut sesi ta përdorë apo ta modifikojë. Më konkretisht ky robot i lejon përdoruesit që të kryejë të gjitha aktivitetet që bëjmë çdo ditë në punën tonë, pra bazën: Të dërgojë dhe marrë e-maile, të shkëmbejë mesazhe në chat, të punojë dokumente, pra është ai software që çdo organizatë duhet ta ketë, përveç atyre të zakonshmëve që çdonjëri nga ne përdor. Dizenjimi dhe modeli 3D është zhvilluar nga kompania jonë, nga kolegia ime Flaminia, që është kreative, në bashkëpunim me të gjithë ne. Ndodhemi në Torre di Quartesolo, afër Vicensës, por na kanë ndihmuar edhe kompani të jashtme, pasi nuk ishim të gjendje ta prodhonim.  Është i disponueshëm në tablet, pra të interesuarit mund ta shkarkojnë, ta instalojnë dhe ta provojnë dhe shpresojmë që OSCAL ta mundësojë të njohim njerëz që duan të kontribuojnë. Padyshim që është ende në fazën e përmirësimit dhe vazhdojmë ta zhvillojmë edhe këto ditë apo në muajt në vijim. Që në fillim dua të them që ky organizim ka ndjesi të mira dhe duket shumë bukur. Kemi gjetur njerëz me të cilët tashmë kemi folur dhe janë të gjithë shumë miqësorë. Është një ambient ku ndihemi të relaksuar dhe na vjen mirë që kemi folur për këtë produkt tonin. Erdhëm në fillim për ta prezantuar këtë projekt, sepse ishte risi dhe na këshilluan OSCAL sepse ishte komuniteti i vërtetë liberal. Kaluan pak orë dhe folëm me disa persona. Shpresojmë që ky aktivitet të zgjasë”, deklaroi menaxheria e marketingut Stefania Fornasier.

Dhe ndjesitë e mira në këtë aktivitet dalloheshin tek pjesëmarrësit, të cilët nuk e fshehin kënaqësinë që në Tiranë kishin zbuluar disa aspekte të cilat në dukje mund të ngjajnë si vogëlsira, por për ta bëjnë diferencën.

“Kjo hera e parë pas disa vitesh që mund ta shikojmë njëri-tjetrin në jetën reale dhe prandaj jam i lumtur që ndodhem këtu. Është shumë më mirë ti shikosh njerëzit në realitet, sesi bashkëveprojnë apo edhe për të pirë një kafe, ose koktej ose diçka tjetër. Këtu mund ta pyesësh direkt personin që flet në konferencë, pa ato problematikat që shfaqen kur jemi online dhe nuk ka komunikim verbal. Kështu është më këndshëm dhe këtu njerëzit më pëlqejnë. Jam me të vërtetë i lumtur. Tirana është shumë e këndshme dhe në veçanti kur vjen nga Holanda, kur shikon trafikun këtu si një holandez në pamje të parë të duket kaotike, por kur shkon tek vijat e bardha shoferët ndalojnë që ti të kalosh rrugën dhe në Holandë nuk ndalon askush. Kjo është e mrekullueshme. Duket një shoqëri mjaft e fortë dhe ndihem shumë i sigurt dhe i lumtur që jam këtu”, tha eksperti i sigurisë Elger Jonker.

Interneti fals, pra me kod të hapur është një rrymë që po përhapet shpejt dhe madje po zhvillohet jo vetëm në anglisht.

“Ne ndihmojmë të bëjmë zyra software falas, që mund të aksesohen nga gjithkush. Siç është Microsoft, ne kemi krijuar një sistem falas që njerëzit mund ta përdorin, pra ne jemi ky komunitet dhe prandaj ndodhemi këtu që të gjejmë njerëz të rinj që mund të na bashkohen dhe të kontribuojnë. Ajo që është më e rëndësishme për ne është të krijojmë këto software që mundësojnë internet falas për çdokënd dhe në çdo gjuhë, jo vetëm në anglisht dhe gjuhët e tjera më të përhapura. Ne kemi një sistem të tillë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, në çdo vend ku njerëzit jetojnë, si në zona urbane ashtu edhe në ato rurale, pra në çdo cep të globit mund ta përdorin këtë softëare”, shtoi Mike Sounders.

Siguria në internet ishte një tjetër aspekt i diskutuar në këtë konferencë.

Një tjetër pikë qendrore e sallës së ekspozimit të projekteve ishte dhe printeri 3D, ku shumë pjesëmarrës dizajnuan objekte të ndryshme në kompjuter, të cilat më pas u shndërruan në material konkrete.

Mundësia për qasje pakufi në internet tashmë duket si e drejtë njerëzore.

“Aksesi i lirë në internet mendoj se është një e drejtë njerëzore, kur gjithkush mund të hyjë online dhe të gjithë duhet ta kenë këtë të drejtë, pa u kushtëzuar nga pengesat që sjell paraja. Duhet të plotësosh dokumentet apo të komunikosh me atë që do pa dashur të paguash, pra të gjithë duhet të bisedojnë online pa lejuar askënd që të bëjë para nga kjo bisedë”, u shpreh Elger.

Pushteti lokal duhet të përfitojë nga kjo mundësi që qytetarët të mos kenë kufizime përsa i përket aksesit në internet.

“Nuk është e nevojshme të jetosh në qytete të mëdha që të japësh kontribut në internetin me kod të hapur. Kemi parë që sistemi ynë liberal i softwarëve po përdoret më shumë në pushtetin vendore në Mbretërinë e Bashkuar, Tajvan, në disa pjesë të Bashkisë së Tiranës, etj. Është e nevojshme që të përhapim fjalën që pushteti vendor mund të përdorë edhe këtë sistem tonin liberal, pra nuk është e nevojshme të dërgojnë para në Amerikë për të blerë internet me kod të mbyllur. Pra mund ta përdorin këtë software me kod të hapur këtu në Tiranë, në Japoni, Siberi dhe në çdo vend. Njerëzit mund të ndihmojnë që ky sofware të bëhet më i mirë”, përfundoi Mike.

Eksperienca që përfitohet nga aktivitete të tilla shërben për ta shpërndarë fjalën edhe tek personat e tjerë të interesuar.

OSCAL Albania siguron partnerët dhe publikun që do të sjellë në kohë reale në Tiranë të gjitha zhvillimet përsa i përket hapësirave të internetit me kod të hapur, ku do të mund të përfitojë një shtresë e madhe e popullsisë dhe mbi të gjitha, falas.

A2 CNN Livestream

Dita jonë