Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Pacientëve me SIDA, pandemia u “rrëmbeu” mjekët

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2021, 15:04 | Aktualitet
Pacientëve me SIDA, pandemia u “rrëmbeu” mjekët

Për më shumë se 20 muaj, spitali infektiv nuk ka dhënë trajtimin e dikurshëm për personat e prekur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Për shkak të pandemisë, këta pacientë i kanë shpëtuar edhe gjurmimit nëpërmjet testimeve, pasi vëmendja më e madhe është orientuar ndaj të infektuarve ndaj koronavirusit.

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi thotë se kjo mungesë menaxhimi, ka sjellë përkeqësim të sëmundjes te pacientët. “Pandemia mund të ketë ndikuar si në drejtim të aksesit ndaj testimit, pra edhe pse ka një numër pak më të lartë se vjet i të testuarëve, prapë numri i testimeve konsiderohet i ulët nga aq sa do donim të kishim ne. Gjë që reflekton në një përqindje të konsiderueshme të diagnozave të vonuara”, tha ai për A2 CNN.

Pandemia nuk u mori vetëm spitalin personave me SIDA, por edhe mjekët. Shumica e infeksionistëve po punojnë me pacientët e prekur nga koronavirusi. “Ne vazhdojmë akoma me trendin e diagnozës së vonë. Personat vijnë me gjendje klinike në spital për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të komunikimit mes pacientëve që janë në terapi dhe mjekëve që i ndjekin. Fakti që klinika e sëmundjeve infektive u kthye në spital Covid do të thotë që krijoi një lloj shkëputjeje të komunikimit të drejtpërdrejt. Janë bërë përmes telefonit ose mesazheve kur ata kanë pasur hapësira kohore për t’u përkushtuar personave HIV pozitiv”, tha Olimbi Hoxhaj, drejtuese e Shoqatës së Personave me HIV.

Gjatë këtij viti, vërehet një ulje e moshës, nën 20 vjeç, të meshkujve të prekur me një specifike për t’u nënvizuar. “Ajo që vëmë re është një ulje e moshës së infektimit, sidomos te grup-popullatat e meshkujve që bëjnë seks me meshkujt. Edhe pse ky risk transmetimi nuk raportohet për arsye të stigmës, pacientët meshkuj hezitojnë ta raportojnë orientimin e tyre seksual edhe nuk raportohen. Por ka edhe një trend në rritje që shihet edhe në vendet e Europës”, tha Harxhi.

Ndërkohë, kjo kategori pacientësh ka qenë më pak e prekur nga Covid-19, për shkak të terapive të vazhdueshme me antiviralë që marrin për të luftuar sëmundjen.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu