Pakënaqësitë e klubeve që e panë veten jashtë paketës së FSHF-së

Pothuajse nuk kanë mbetur kategori të cilat nuk humbin diçka, ose nuk përfitojnë asgjë, të gjendur në rrethana atipike të një pandemie, kur ajo që kërcënon një pjesë të mirë e që duket se është elementi që step të gjithë, është stabiliteti financiar. Bota e sportit nuk është më pak e prekur. Klubet e kategorive të ulta në futbollin shqiptar financohen nga donatorë të jashtëm, çka në këtë moment i ka përjashtuar nga paketa financiare e akorduar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Të mbetur jashtë paketës, përmes Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, ata shprehin pakënaqësinë e këtij momenti. Kryetari i kësaj sindikate, Andi Lila, tregoi në mënyrë më të shtjelluar në “Ditari” në A2 kërkesat e futbollistëve.