Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Pandemia që ndryshoi botën

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 10:37 | Bota
Pandemia që ndryshoi botën

Si ndryshoi bota në një vit? Kur trokitëm gotat - si çdo fundvit - u lutëm për një vit më të begatë, për një botë më të mirë. Si në çdo fillim të ri, besuam në një botë me më pak konflikte, më pak dhunë, më shumë barazi. Ajo që nuk dinim atëherë ishte se pragu në të cilin po shkelnim, do të na çonte drejt një bote të re, të cilën deri atëherë e kishim parë vetëm në filma.

Një botë e kërcënuar nga një virus që mbjell dhimbje e vdekje, e pllakosur nga heshtja, e gjunjëzuar nga frika, një botë pandemike! Skenari i 2020-s, dukej i përgatitur nga mjeshtrit e trillerave. Një virus i panjohur që përhapet me shpejtësinë e dritës në mbarë globin; kura dhe vaksina mungojnë; infektimet dhe vdekjet bëhen të pandalshme. Zhvillimet nuk mund të ishin më dramatike, me mbi 1 milion e gjysmë vdekje në më pak se një vit, me sistemet shëndetësore më të zhvilluara në prag të kolapsit, me ekonominë buzë greminës. Por, fundi duket të jetë premtues, dhe shpëtimi vjen në formën e një vaksine.

Një virus i panjohur. Janari i 2020-s, ishte një muaj i mbushur me lajme. Atëherë, u vra nga Shtetet e Bashkuara, njeriu i dytë më i rëndësishëm i Iranit, gjenerali Kasem Sulejmani, ndërkohë që Australia u përfshi nga flakë të paprecedenta, dhe ylli i basketbollit, Kobe Bryant, humbi jetën në një aksident ajror. Por, nuk e dinim ende në atë kohë, se lajmi kryesor vinte nga Kina, dhe ishte ai i zbulimit të disa rasteve me pneumoni misterioze virale, në qytetin e Wuhanit. Më 11 janar, Kina raportoi vdekjen e parë nga virusi i panjohur, një banor 61-vjeçar.

Rastet e para me pneumoninë e dyshimtë, lidheshin kryesisht me një treg të gjësë së gjallë, pranë një laboratori të kontrolluar nga qeveria kineze në qytetin e Wuhanit. Ndërsa infektimet shtoheshin, autoritetet kineze , që kishin izoluar më herët zona të caktuara, vendosën ta shtrinin masën në të gjithë qytetin nga 23 janari. Asnjë lëvizje nuk do të lejohej brenda apo jashtë qytetit, postoblloqe për kontrollin e temperaturës u vendosën në spitale dhe kamera termike në nyjet e transportit. Një qytet me 11 milionë banorë kishte hyrë në karantinë dhe bota sapo kishte hapur një kapitull të errët; me izolime, sëmundje dhe rrënim ekonomik.

Ekspertët konfirmuan me bindje se virusi transmetohej nga njeriu në njeri, dhe nuk do të vononte para se rastet me koronavirusin e ri të evidentoheshin në Tajlandë, Japoni, Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara. Më 30 janar, ndërsa Perëndimi  e shihte ende si një realitet të largët, atë që po ndodhte në Azi, Organizata Botërore e Shëndetësisë, foli për emergjencë shëndetësore.

''Po shpall emergjencën shëndetësore ndërkombëtare. Shqetësimi kryesor, nuk ka të bëjë me atë që po ndodh në Kinë, por për mundësinë e depërtimit të virusit në vende me sisteme më të dobëta shëndetësore, të papërgatitura për të përballuar një situatë të ngjashme”, ishin fjalët e kreut të OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ndërsa Kina, nxitonte të frenonte me të gjitha mënyrat përhapjen, njëkohësisht duke përshtatur e ndërtuar infrastrukturën për të përballuar krizën shëndetësore, bota ngrinte pikëpyetje mbi mënyrën se po e menaxhonte ajo pandeminë, ndërsa për shtetasit kinezë dyert filluan të mbylleshin, gradualisht. Qasja e ndalimit të udhëtimeve nga Kina, në disa vende përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, u kritikua nga shefi i OBSH-së, Ghebreyesus, i cili në atë kohë e pa të panevojshme një lëvizje të tillë. “Nuk ka asnjë arsye të ndërmerren masa që pengojnë në mënyrë të panevojshme udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare”, ishin fjalët e tij, në shkurt. Ndërsa rastet me koronavirusin e ri, po shumëfishoheshin dita-ditës, kompanitë farmaceutike rreth botës, të cilat e kishin nuhatur se drama që po zhvillohej ende e heshtur në një pjesë të globit, do të merrte shpejt përmasa alarmante, filluan garën për krijimin e antidotit. Edhe pse gjithmonë e më të larta në numër, rastet jashtë Kinës mbeteshin të lidhura me Wuhan-in.

Vatra më e rëndësishme pas kryeqendrës së Hubeit, në fillim të shkurtit u bë një anije kroçierë me 3700 persona në bord. Pas konfirmimit të rasteve të para, anija u ankorua në portin e Japonisë, e për ditë me radhë pasagjerët e saj qëndruan në izolim të plotë, në pritje të testimit. 700 vetë rezultuan të prekur. Dyshimet mbi atë që po ndodhte në Kinë, mbi vërtetësinë e shifrave apo informacioneve që vinin prej shtetit hermetik, u shtuan edhe më shumë pas vdekjes nga koronavirusi të mjekut Li Wenliang, i cili ishte vënë në shënjestër të hetimeve, pasi ngriti alarmin mbi virusin misterioz, para se ai të njihej zyrtarisht. Wenliang vdiq si pasojë e pneumonisë së shkaktuar nga virusi i ri. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk ia doli.

Përhapja në Itali: Tejkalimi i pragut të 1 mijë vdekjeve në fillim të shkurtit, alarmoi autoritetet shëndetësore globale, por Europa, deri atëherë e pashqetësuar, e pa rrezikun t’i afrohej te dera në fund të muajit, kur Italia, raportoi vdekjet e para dhe mbylli vendet publike në 10 qyteza në veri të vendit. Qindra raste u konfirmuan brenda ditës, kryesisht në rajonet e pasura të Lombardisë dhe Venetos, të cilat u kthyen shpejt në epiqendrën e re të epidemisë. 2 marsi do të vinte i zymtë, për Italinë dhe për të gjithë Europën. Shteti fqinjë, do të përjetonte orët më të errëta në historinë e tij moderne, nga ku vinin pamje të mjekëve të tejlodhur, morgjeve të mbushura plot, e shifra prej mijëra të infektuar dhe qindra të vdekurish.

Virusi, i pagëzuar tashmë me emrin SARS-coV-2 kishte gjunjëzuar Kinën dhe Iranin, por ishin skenat nga Italia dhe izolimi kombëtar i njoftuar në datën 9 mars, që shfaqi panoramën e plotë, të tragjedisë që po luhej në teatrin botëror.

Tregjet financiare ranë në nivelet më të ulëta që prej 2008-s mes frikës së një recesioni global, ndërsa italianët u kthyen në të padëshiruarit e rinj, nëpër kufij. “Të gjitha lëvizjet rreth vendit duhet shmangur, përveçse në tri rrethana specifike; për punë, për nevoja të caktuara apo për arsye shëndetësore”, ishin urdhrat e kryeministrit, Giuseppe Conte.

Imazhet drithëruese të asaj që po ndodhte brenda dyerve të spitaleve ku beteja me koronavirusin ishte më e ashpër, u bënë fillimisht publike nga televizionit La7. Pamjet treguan stafin mjekësor me pajisjet mbrojtëse teksa trajtonin pacientët e lidhur me respiratorët; disa prej të cilëve të kthyer përmbys për të ndihmuar oksigjenimin. Italia u bë simbol i përballjes së pamëshirshme me virusin, por gjithashtu shpresës dhe vlerësimit të atyre që  luftonin në vijën e parë.

“Il Belpaese”, aq shumë i lakmuar për trashëgiminë e pasur historike e kulturore, po lëngonte nën sytë e një bote që shihte e tmerruar, dhe hezituese për të ndihmuar me resurset jetësore dhe të pamjaftueshme në atë kohë. Por, thirrjet e dëshpëruara për ndihmë, të mjekëve që qanin korridoreve nuk mund të mos kumbonin dhimbshëm në veshët e vendit që me Italinë e ndante deti, por e lidhte aq shumë historia.

Shqipëria jonë e vogël, tregoi zemrën e saj të madhe, kur u listua mes shteteve të pakta që i shtrinë dorën në atë kohë. Italianët refuzuan të gjunjëzoheshin para armikut të ri të pamëshirshëm i cili i kishte marrë përkohësisht lirinë, por kurrsesi dëshirën për jetën. Ballkonet e mbushur plot me njerëz që këndonin e kërcenin, bënë xhiron e botës, dhe u bënë simbol i rezistencës dhe ringritjes.

Shpallet pandemia, kyçet Europa. Ndërsa Europa numëronte me frymën pezull infektimet dhe vdekjet, Kina raportonte rënie të shifrave duke filluar rihapjen graduale të ekonomisë, pas disa muajsh kufizime strikte. Më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin, pandemi Covid-19, siç u quajt sëmundja që shkaktonte virusi respirator, po përhapej me ritme gjithmonë e më të shpejta, po aq sa frika dhe pasiguria që po mbillte në planetin e papërgatitur për një sfidë të tillë.

77 ditë pasi iu prezantua njerëzimit për herë të parë, “armiku i padukshëm”, siç e cilësuan rëndom, e çoi botën drejt një mbyllje të paprecedentë. Presidenti francez, Emanuel Macron, e cilësoi pandeminë, si “krizën më të rëndë shëndetësore në një shekull”, teksa njoftoi kufizimet më strikte të jetës publike që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kufijtë rreth Europës dhe përtej po blindoheshin, por virusi nuk njihte barriera, duke hyrë i paftuar në çdo kontinent, në çdo vend, përfshirë edhe Shqipërinë.

Agresiviteti dhe shpejtësia me të cilën po përhapej anekënd globit, bindi edhe më skeptikët për nevojën e masave drastike. Ndërsa, kishte hezituar të sakrifikonte ekonominë për atë që fillimisht e shihte si një grip të zakonshëm, kryeministri britanik, Boris Johnson, do të njoftonte shumë shpejt izolimin e vendit.

Që Covid-19 nuk ishte një grip i thjeshtë, Boris Johnson do ta provonte nën lëkurë. 10 ditë pasi u bë mes udhëheqësve të parë në botë që infektohej nga koronavirusi, numri një i Dowining Street u shtrua në terapinë intensive të një spital të Londrës, mE simptoma të rënduara nga sëmundja. Lajmi se kryeministri 56-vjeçar i një prej shteteve më të fuqishme në botë po luftonte mes jetës dhe vdekjes me një virus që nuk bënte dallime, tregoi se të gjithë ishim të rrezikuar. Britania mbeti pa një udhëheqës në ditët e saj më të vështira.

COVID mbërrin në SHBA. Ndërsa po gjunjëzonte një e nga një shtetet Europiane, Italinë, Spanjën e Britaninë e Madhe shënjestra kryesore, Covid-19 kishte hedhur farën edhe përtej oqeanit, në Nju-Jork, që u bë baza e tij e parë në Shtetet e Bashkuara.

Edhe “qyteti që nuk fle kurrë”, ra shpejt në gjumë. Pamjet e morgjeve të improvizuara jashtë spitaleve dhe ato të varrezave masive e bënë situatën edhe më të zymtë. I vendosur për të ruajtur të paprekur një prej arritjeve më të mëdha të presidencës së tij, ekonominë, presidenti amerikan ishte ndër të paktët udhëheqës që e minimizonte situatën, duke ia drejtuar shpatën, jo virusit po vendit nga mendohej se e kishte origjinën, Kinës.

“Nuk po tregohem racist. E quaj virus kinez, pasi prej andej vjen”, deklaronte Trump, në mars. Ndërsa drejtonte gishtin nga Kina, kreu i Shtëpisë së Bardhë nisi paralelisht një luftë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të cilën e akuzonte për keqmenaxhim të pandemisë dhe favorizim të Kinës.

Masat kundër pandemisë. Mes përplasjeve politike, përçarjeve dhe mungesës së koordinimit, COVID-19 gjeti terrenin e përshtatshëm për të përhapur metastazat në planetin e sëmurë. Ajo që nuk kishte qenë e qartë më herët, tani nuk linte më hije dyshimi: Bota kishte hyrë në një epokë të re të përballjes me një sëmundje që shumë pak e kuptonte, dhe të implementimit të politikave që do të ishin të paimagjinueshme deri disa javë më parë. Nga Parisi në Sidney, nga Madridi në Nju-Jork, kryeqytetet e botës ranë në gjumë. Heshtja në rrugë thyhej nga sirenat e ambulancave, që transportonin papushim të sëmurët, ndërsa bilanci i humbjeve bëhej gjithmonë më i pamëshirshëm.

Më 27 mars, Italia shënoi ditën më të zezë që prej shpërthimit të pandemisë, me 919 jetë të humbura në vetëm 24 orë. Bilance të ngjashme raportonte edhe Spanja e Britania e Madhe.

Ndërkohë, ne filluam t’i përshtateshim realitetit të ri, duke i kthyer sallonet e ndenjes në zyra dhe dhomat e gjumit në klasa. Shtrëngimi i duarve u bë i ndaluar, e po ashtu përqafimet, pikërisht në  momentin kur na duheshin më shumë.

Dashuria filloi të barazohej me distancimin, e sa më larg t’i mbanim personat e afërm, aq më shumë afeksion tregonim. Maskat u bënë jo vetëm emblema e vitit, por gjithashtu e një epoke të re, e frikshme.

Nga muzeu i Luvrit në Paris, te La Scala në Milano, nga Brodway në Nju-Jork, te parqet Disney, të gjithë muzetë, teatrot dhe parqet argëtuese rreth globit mbyllën dyert për herë të parë në dekada, duke e zhytur jetën social-kulturore në kllapi. Çdo aktivitet sportiv u pezullua e në stadiumet gumëzhitëse, pllakosi heshtja. Meka u zbraz nga ithtarët besnikë, e Papa lutej i vetëm, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Teknologjia u shndërrua në boshtin e jetës sonë të re; atje ku do të mbanim gjallë lidhjet sociale, ku do të punonim, e do të mësonim. Artistët i kthyen shtëpitë në skenë, dhe e gjithë bota jonë u kufizua në ekranin e një kompjuteri.

Iluzioni i zbutjes së pandemisë. Sakrificat e europianëve filluan të shpërbleheshin gradualisht nga mesi i muajit prill, kur sinjalet e zbutjes së pandemisë po vinin nga shtetet më të goditura.

Ndërsa, europianët filluan të shihnin dritë në fund të tunelit, në Shtetet e Bashkuara, Amerikën latine e pjesë të tjera të botës, pandemia bëhej gjithnjë e më e egër. Presidenti amerikan udhëzoi administratën e tij të ndalte eksportet e maskave N-95 dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse. Por, në vendin që u bë shpejt më i prekuri nga pandemia, beteja e ekspertëve të shëndetësisë luftohej në dy fronte; kundër koronavirusit dhe presidentit amerikan. Shkenca dhe politika nuk e gjetën dot gjuhën e përbashkët, me të parën që kërkonte respektim rigoroz të masave kundër COVID-19, dhe të dy që i nënvlerësonte ato, dhe përpiqej me çdo kusht të mbante ndezur motorët e ekonomisë.

Masat e paprecedenta që vendosën nën zinxhirë gjysmën e njerëzimit kishin funksionuar. Infektimet dhe vdekjet po binin rreth Europës, Azia kishte arritur ta mundte virusin, ndërsa frika e një shpërthimi të pakontrollueshëm në Afrikë, nuk ishte materializuar. Një nga një, shtetet filluan të lehtësojnë kufizimet ndaj bizneseve dhe udhëtimeve.

Terminalet e Londrës dhe Parisit u rihapën, dhe pati parashikime optimiste se më e keqja e pandemisë ishte tanimë pas krahëve, edhe pse vaksinat mund të ishin ende disa muaj, e mbase 1 vit larg. Në këtë moment vëmendja kaloi te dëmet ekonomike, me Europën dhe Shtetet e Bashkuara që flisnin për krizën më të rëndë që prej depresionit të madh.

Europa filloi të rizgjohej gradualisht, e shtete si Spanja e Italia që ndërmorën masat më strikte kundër koronavirusit, po lejonin lëvizjet në ajër të pastër.

Kufijtë nisën të rihapen, në aeroporte u rikthye qarkullimi, Venecia, Parisi dhe Roma, pritën sërish vizitore. Por, tabelat që kujtonin mbajtjen e maskave, distancimit social dhe higjienës së duarve, ishin një kujtesë se normaliteti të ri drejt të cilit po shpresonte të hynte bota, do të ishte krejt i ndryshëm.

Shpresa e vaksinës. Kryefjala ishte “Kujdesi”. Më 5 maj, gjiganti amerikan i farmaceutikës, Pfizer dhe kompania gjermane Biontech, njoftuan se do të fillonin testimin e vaksinës së tyre eksperimentale, duke i dhënë më shumë arsye për të festuar, njerëzimit ende në shok, për eksperiencën surreale që sapo kishte përjetuar. Liderët dhe OBSH-ja u zotuan të grumbullonin 8 miliardë dollarë fonde për kërkimet, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave të mundshme kundër koronavirusit, por Shtetet e Bashkuara refuzuan të bëheshin pjesë e iniciativës globale.

Vera erdhi vrullshëm, me qytetarët anekënd globit që ishin të etur për të jetuar e për të shijuar më në fund pushime të shpenguara.

Thirrjet e autoriteteve për kujdes e distancim, nuk i ndaluan njerëzit të mbushnin plazhet! Dëshira për liri, ishte më e madhe se frika. National Geographic e quajti verën e udhëtimeve rrugore, ndërsa lëvizja me avionë mbetej ende, zgjedhje e guximshme.  Por, përkundër shpresave se fundi i lumtur kishte ardhur, ekspertët filluan të dallonin sinjale shqetësuese. Virusi ishte ende atje, dhe gjithmonë e më shumë të rinj, që mbushnin kafenetë dhe klubet, po infektoheshin me koronavirus.

Në Shtetet e Bashkuara, ku po zhvillohej fushata zgjedhore më e pazakontë në histori, pandemia kishte marrë dimensione partiake, me votuesit demokratë që e shihnin pandeminë si serioze, e ata republikanë që kërkonin me ngulm heqjen e kufizimeve dhe rihapjen e plotë të ekonomisë.

Vala e dytë. Entuziazmi dhe besimi se ditët e errëta ishin pas krahëve, u shuan bashkë me verën. Pas një pauze disamujore virusi u rikthye me shpejtësi tronditëse. Niveli i infektimeve në kontinentin e vjetër ishte edhe më i lartë se sa në valën e parë të pandemisë në muajin mars. Ulja e vigjilencës gjatë muajve të nxehtë po i ndëshkonte europianët; ajo që deri më tani ishte parashikim po bëhej realitet. Vala e dytë kishte filluar.

Presioni në spitale u rrit sërish, dhe kufizimet filluan të shiheshin sërish si zgjidhje. Më dramatike, situata paraqitej në SHBA, me një president që refuzonte të pranonte realitetin, dhe zhvillonte tubime me mijëra njerëz, sikur virusi të mos ekzistonte. Pasi kritikonte maskat dhe konstatimet e shkencës për një dimër të vështirë, presidenti amerikan u infektua edhe vetë nga koronavirusi.

Mënyra se si Trump u përball me sëmundjen e vet përgjatë ditëve në vijim, ishin një pasqyrë e qasjes së tij të papërshtatshme ndaj pandemisë. Pasi u transferua në spital, mjekët nxitën konfuzione në media duke i cilësuar fillimisht si të buta simptomat e tij. Por, deklaratat e mëvonshme dhe detajet lidhur me kurën që kishte marrë presidenti, sugjeruan se gjendja e tij nuk kishte qenë e mirë. Duke sfiduar udhëzimet për izolim, Trump këmbënguli të falënderonte turmën e mbledhur jashtë spitalit, duke parakaluar me makinë para mbështetësve.

Pas një rikthimi triumfues në Shtëpinë e Bardhë, Trump u tha amerikanëve të mos kishin frikë nga Covid-i, pikërisht në një moment kur viktimat e virusit në vend, i kishin tejkaluar 210 mijë.

Anglia iu rikthye kufizimeve strikte, Franca mbylli bare e restorante dhe qytetarët duhet të kërkonin leje për të dalë nga shtëpitë. Terapitë intensive në Spanjë u tejmbushën. Pyetja thelbësore nëse COVID-19 do të përkeqësohej me freskimin e motit, kishte marrë tashmë një përgjigje të qartë. Europa po vuante sërish, madje edhe vendet që i kishin shpëtuar goditjes së fortë, në valën e parë, nuk po kurseheshin nga furia e së dytës.

Me 250 mijë vdekje të konfirmuara, Europa u bë kontinenti i dytë pas Amerikës Latine, që tejkalonte shifrën e zymtë. Në fillim të tetorit, India regjistronte mbi 100 mijë vdekje, ndërsa Brazili, një tjetër shtet ku lidershipi minimizonte rrezikun e koronaviurusit, kishte mbi 150 mijë humbje të konfirmuara jete dhe më shumë se 5 milionë raste.

Vaksinat shndërrohen në realitet. Në nisje të atij, që shumë e kanë pagëzuar si dimrin më të errët të kohërave moderne, filloi edhe kthesa, në luftën e njerëzimit kundër virusit të palodhur. Zgjidhja ishte më në fund në horizont, e në atë që u konsiderua një gur themel i shkencës, bota kishte vaksinën më të shpejtë në histori.

Pfizer dhe Biontech thanë se vaksina e tyre ishte e sigurt dhe rreth 95 për qind e efektshme. Rezultate të ngjashme do të raportonte pak ditë më vonë edhe Moderna, një tjetër kompani amerikane, që ashtu si Pfizer, ishte mbështetur në teknologjinë inovatore me rna, për krijimin e vaksinës. Pikat e dobëta të këtyre modeleve, ishin kostoja relativisht e lartë e vaksinave, dhe temperaturat ekstremisht të ulëta për ruajtjen e transportimin, veçanërisht për vaksinën e Pfizer dhe Biontech.

Rusia e pagëzoi me emrin Sputnik, vaksinën e krijuar në laboratorin Gamaleja në Moskë, e që sipas autoriteteve ishte 92 për qind e efektshme. Në Britaninë e Madhe, Oxford dhe Astra Zeneca kishin premtuar një vaksinë për të gjithë botën, me kosto më të ulët prodhimi e lehtësisht të transportueshme. Kjo e bëri vaksinën kandidate, si më premtuesen e më të shumëpriturën, por rezultatet në fund të testimeve nuk ishin aq entuziaste.

Efektshmëria e vaksinës varionte nga 60 deri në 90 për qind, dhe paqartësitë lidhur me dozimin e saj, detyruan Oksfordin dhe Astra Zenecan të kërkonin më shumë kohë.

Por, njerëzimi nuk kishte kohë për të humbur dhe mundësia më reale për t’iu rikthyer jetën e marrë peng ishin vaksinat e krijuara nga Pfizer dhe Moderna, të cilat aplikuan për përdorim emergjent tek entet rregullatore.

Më 6 dhjetor, Britania e Madhe u bë i pari vend në botë që i dha dritën jeshile vaksinës së Pfizer, e dy ditë më vonë, nisi fushata e imunizimit në masë. Një grua 91-vjeçare u bë e para që mori dozën fillestare të vaksinës së ndarë në dy doza.

Gara për vaksinën. Shpejt drita në fund të tunelit, do të dukej për SHBA-në, Kanadanë, e shtetet e Bashkimit Europian, të cilët nisën aplikimin e vaksinën te grupet më të rrezikuara. Bota nuk mund të shpresonte për një dhuratë më të mirë Krishtlindjesh, por dozat ishin të pamjaftueshme për të ofruar një zgjidhje të menjëhershme.

Pasi gara për krijimin e antidotit kishte mbërritur në finish, një tjetër garë e ethshme nisi shumë shpejt; kush do të siguronte i pari e më shumë, nga ato pak doza të disponueshme. Ndërsa të pasurit nxitonin t’i rrëmbenin tregun ato pak doza në dispozicion, u bë e qartë se për pjesën tjetër të botës, shpëtimi do të vijë më vonë.

Krijimi dhe aplikimi i një vaksine, më pak se një vit pasi COVID-19 e zhyti botën në errësirë, projektoi fitoren e afërt në horizont. Por, pikërisht kur shpresuam për fundin e lumtur të një viti tmerrësisht të vështirë, dramës iu shtua edhe një kapitull… Titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare alarmonin mbi një variant të ri më të transmetueshëm të koronavirusit, i përhapur tashmë në Britaninë e Madhe. Një tjetër mutacion i ngjashëm, ndoshta edhe më i rrezikshëm vinte nga Afrika e Jugut. Ekspertët besojnë se variantet nuk janë domosdoshmërish më vdekjeprurëse dhe se me shumë mundësi vaksina nuk do ta humbasë efektshmërinë e saj. Por, frika dhe pikëpyetjet mbeten… Në pragun e këtij viti të ri, hyjmë me qindra pasiguri, të tjetërsuar, me humbje të mëdha, por sigurisht me dëshirën për t’u ringritur, edhe më të fortë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë