Pandemia tek fëmijët, rriten infektimet dhe shtrimet në spital, 2 në terapi intensive

Situata e vështirë nga pandemia dhe shtimi i infektimeve po reflektohet edhe tek fëmijët. Në spitalin infektiv të pediatrisë, këtë periudhë janë rritur shtrimet si dhe komplikacionet që bëjnë pacientët e vegjël të prekur nga koronavirusi.
“Kohët e fundit ka shtim të rasteve pozitive tek fëmijët. Që nga muaji nëntor kemi një ritëm më të madh të shtrimeve në spital, por fatmirësisht kemi akoma kapacitete në repartin e dedikuar pacientëve me COVID. Aktualisht kemi 8 fëmijë të shtruar dhe 2 në terapi intensive, nuk janë të intubuar por në kushtet e temperaturës së zgjatur”, deklaron shefja e shërbimit të pediatrisë infektive Gjeorgjina Kuli për A2 CNN.
Ajo shton se të prekurit janë nga të gjitha grupmoshat, por adoleshentët shfaqin shenja tipike edhe të varianteve të tjera. Për eksperten e Komitetit Teknik, ende nuk është marre një vendim në lidhje me hapjen ose jo të shkollave të mesme pas 26 shkurtit.
“Kemi dhe të vegjël bebe që infektohen nga nenat, kemi moshën 7-8-9-10 vjeç. Por ata që dominojnë janë mbi 15 vjeçarët, adoleshentët që për momentin përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infeksioneve të reja. Në lidhje me vendimin e shkollave, nuk mund të them nëse do të ketë një masë tjetër ose jo, por është një problem që e kemi në qendër të vëmendjes”, shton ajo.
Në këtë periudhë të ftohtë, krahas Covid-19 po qarkullojnë edhe virozat gripale. Mjekja Kuli këshillon prindërit të jenë të kujdesshëm ndaj çdo simptome që shfaqin fëmijët dhe që lehtësisht ngatërrohet me gripin.
Nga fillimi i pandemisë, janë prekur nga koronavirusi 2 mijë fëmije të grup moshave të ndryshme. Aktualisht 25% e tyre janë te sëmurë aktivë, ndërsa 10 po trajtohen në shërbimin infektiv të pediatrisë pranë QSUT.