Pandemia zgjat deri në 24 muaj, bilanci i viktimave në SHBA mund të jetë disa herë më i lartë

Bilanci i viktimave në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 shkoi mbi 63 mijë, por mediat më të rëndësishme amerikane vlerësojnë se shifrat janë disa herë më të larta se ato zyrtaret.
Një investigim i New York Times zbuloi se në 5 javë, nga 8 marsi deri më 11 prill, sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri total i vdekjeve në 7 shtete ku mbizotëron koronavirusi u rrit me 50% mbi normalen.
Shtetet në fjalë janë Nju Jorku, Nju Xhersi, Miçigan, Masaçusets, Ilinois, Merilend dhe Kolorado. Investigimi vëren se rritja e papritur e numrit total të vdekjeve gjatë pandemisë, në shumicën e rasteve i është atribuuar shkaqeve të tjera, por në fakt ka pasur lidhje me Covid-19.
SHBA numëron më shumë se 1 milionë të prekur nga virusi i rrezikshëm, ndërsa janë kryer 5.5 milionë teste, thënë ndryshe vetëm 2% e popullsisë amerikane.
Media amerikane ABC News thekson se ky është një numër testesh shumë i ulët prandaj dhe bilanci i viktimave mund të mos jetë i saktë. Gabimet në statistika mund të jenë rezultat edhe i testimeve të pasakta.
Ndërkohë, pandemia e koronavirusit mund të zgjasë akoma edhe për 18 deri në 24 muaj të tjerë, derisa 70% e popullatës në botë të jetë infektuar apo deri në arritjen e një vaksine. Parashikimi vjen nga Universiteti i Minesotës dhe raportohet nga CNN.
Dy epidemiologë të rëndësishëm janë autorë të këtij studimi dhe shprehen se nuk ka një datë kur mund të gjendet një vaksinë kundër koronavirusit, edhe pse viti 2021 shikohet si një afat i mundshëm.