Parkingjet në Tiranë, përse të paguajmë?

Parkimi në rrugët e Tiranës, ashtu si edhe në çdo kryeqytet e botës është dukur gjithmonë si një mision i pamundur. Me shtimin e fluksit të makinave pas viteve ‘90, situata ka ardhur vit pas viti duke u rënduar. Në nëntorin te vitit 2015, këshilli bashkiak miratoi me votat e mazhorancës së asaj kohe parkingjet me pagesë në rrugët e Tiranës me argumentin për të lehtësuar parkimin në kryeqytet.
Pas 3 vjetësh duket se bashkia e Tiranës po ndërmerr një tjetër nismë që ka lidhje me parkingjet në Tiranë. PD denoncoi procedurën e bashkisë së Tiranës për fituesin e parkimeve publike, duke akuzuar se u vendos dhënia e parkingjeve tek një privat për të ndryshuar format e pagesës dhe sigurisht edhe pagesën.
Në studion e A2 për të sqaruar këtë përballje të re në politikën e kryeqytetit shqiptar, ishin Egla Zëre e Tirana Parking dhe Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Akil Kraja është një nga akuzuesit të mëdhenj të kësaj sipërmarrje të re të Bashkisë, që ai nuk ngurron të cilësojë si “pazar që bëhet mbi kurrizin e qytetarëve”.
Kraja denoncoi në rastin konkret një skemë PPP ku aktori ekonomik që do të marrë përsipër instalimin e makinerive që do të grumbullojnë tarifat e parkimit është “anonim”, i cili mund të jetë “i regjistruar jashtë Shqipërisë” dhe që sipas tij do të marrë “një komision të shtuar mbi vlerën e caktuar nga Këshilli bashkiak”, që nënkupton edhe një rritje të këtyre tarifave. Kjo, sipas tij, në një kontekst ku qytetarët paguajnë rreth 140 milionë euro në taksa çdo vit. Dhe përfundon me një pyetje: A ka një proces tenderimi për këtë sipërmarrje?”.
Si kreu i Tirana Parking, Egla Zëre mohon akuzat, që cilëson si një “përrallë të bukur” të sajuar nga opozita. Sipas saj, shoqëria që menaxhon u krijua nga e para në vitin 2015 nga këshilli bashkiak, dhe duke qenë institucion i ri “mund të ndryshonte elementë të ndryshëm në kuadër të përmirësimit të shërbimit”. Sipas saj, objektivi më i madh është “zhdukja e kontaktit fizik të parasë me inspektorët” si dhe krijimi i “mënyrave alternative të pagesës”, qofshin makineri, pagesa me karta krediti ose aplikacione online.

Shkarkoni aplikacionin e A2