Pasojat e pandemisë, Covid-19 mbyll institucionet lokale në Vlorë

Prej ditësh infektimet me Covid-19 në qytetin e Vlorës kanë sjellë për pasojë mbylljen e disa institucioneve kryesore lokale të kryeqendrës së jugut.
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në Vlorë janë mbyllur me urdhër të inspektoratit shtetëror shëndetësor, Gjykata e Apelit si dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura.
Në këto institucione kanë rezultuar pozitive persona të infektuar me COVID-19. Për ketë arsye inspektorati shtetëror shëndetësor ka vendosur mbylljen e këtyre institucioneve dhe tamponimin e punonjësve të tjerë të tyre që kanë qenë në kontakt ose pranë persona që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Institucionet do të qëndrojnë të mbyllura deri në daljen e përgjigjeve të rezultateve të tamponit që u janë marrë punonjësve të tjerë.
Sakaq më herët, gjatë javës së kaluar inspektorati shëndetësor kishte vendosur edhe mbylljen e bashkisë se qytetit si dhe të zyrave të Gjendjes Civile, të cilat vazhdojnë ende të jenë të mbyllura. Sipas inspektoratit shëndetësor shtetëror, institucionet do të qëndrojnë të mbyllura për 7 ditë si masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të infektimit me COVID-19.