Pasojat e tërmetit, në Durrës tre akte të ndryshme dëmtimesh për të njëjtin pallat

Për 45 familjet e pallatit nr.901, në rrugën “Kristo Sotiri” në Durrës, nuk kanë fund “gabimet njerëzore” si nga Instituti i Ndërtimit ashtu edhe nga Bashkia e Durrësit, të cilët pohojnë dhe mohojnë vendimet e nxjerra po nga vetë ata.
Pallati në fjalë u dëmtua nga tërmeti tragjik i nëntorit të vitit 2019. Nga ajo periudhë e deri më tani, për këtë pallat kanë dalë tre lloje ekspertizash, mbi nivelin e dëmtimit që ka marrë.
Sipas burimeve të A2 CNN, ky nivel dëmtimi, i përcaktuar fillimisht si DS2, ka bërë që banorët të përfitojnë nga grantet e qeverisë për riparimin vetjak. Ndërkohë, një përcaktim i dytë e ndryshoi dëmtimin në nivel DS4, ose për shkatërrim, ndërkohë që ankesat e banorëve kanë bërë që vendimi të rishikohet, duke e rikthyer vlerësimin sërish në nivel DS2.
Kjo praktikë ka ngritur dyshime mbi vendimet e marra edhe për qindra banesa dhe objekte te tjera, të cilat kanë pësuar dëmtime nga tërmeti dhe që jo në pak raste kanë ndeshur në kundërshti dhe paqartësi, jo vetëm të banorëve.