Patozi për vendoret: Vejmë piketat. Po kandiduan kryebashkiakët e djathtë? I mbështesim – A2

Patozi për vendoret: Vejmë piketat. Po kandiduan kryebashkiakët e djathtë? I mbështesim

Për Astrit Patozin, i ftuar në A2 CNN, Bindja është një parti që “ka ambicie për të qenë sfidante e modelit të vjetër politik”. Padyshim, ai pohon se mundësitë në strukturë por edhe në financa janë modeste, sepse “jemi partia e atyre që nuk e kanë futur gishtin në asnjë histori korrupsioni” dhe që “pasurinë e saj e ka te modeli dhe te projekti”.
Patozi është i bindur që krijesa e tij e re është gati të regjistrohet në zgjedhje, por kjo nuk do të thotë që “basti” i Bindjes do të jenë këto zgjedhje, që i gjejnë ende të papërgatitur për t’u përballur me qeverinë, dhe ku do të vejnë “piketat për pas 30 qershorit”.
Në këto piketa, mund të ndihmojnë edhe kandidatët e pavarur, ose ata brenda PD-së, që nuk do t’i binden vendimit të Bashës për të mos marrë pjesë në 30 qershor. Patozi e ka të qartë strategjinë e partisë që përfaqëson në këtë pikë. “Kandidatët opozitarë, të pavaruar dhe të pa mbështetur, ne nuk do t’i rivalizojmë, sepse nuk do të ishte etike të binin dëshmorë për fajin tonë”, thotë Patozi.
Ndërsa për mundësinë e mbështetjes të kryebashkiakëve të PD, ai derën e lë të hapur. “Janë të mirëpritur të kandidojnë me Bindjen, edhe pse nuk jemi në zgjedhje sepse duam të ngulim flamurin”. Por Patozi thotë që edhe në mundësinë që një prej këtyre kryebashkiakëve të djathtë të vendosë të kandidojë si i pavarur, “ne do ta përkrahim si të ishte kandidati jonë edhe pse ai mund të mos ta dojë këtë gjë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2