Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

PD depoziton në Kuvend rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Nga A2 CNN
27 Maj 2022, 14:33 | Politikë
PD depoziton në Kuvend rezolutë për dënimin e gjenocidit

Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë si dhe mocion për zhvillimin e debatit.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD kjo projektrezolutë synon pranimin nga Serbia të kryerjes së gjenocidit në Kosovë, ndihmë aktive për zbardhjen e fatit dhe gjetjen e personave te zhdukur, shpërblimin e dëmeve të ardhurave nga gjenocidi dhe heqjen dorë të çdo përpjekje të Serbisë për të dëmtuar interesat e Kosovës.

Ndërkohë për institucionet shqiptare, Alibeaj kërkon angazhim maksimal për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndaj republikës së Kosovës

"Rezoluta e thekson dhe përdor termin “gjenocid” për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.

"Rezoluta i referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1392 fëmijë dhe 1739 gra.

Gjithashtu, në bazën e saj janë 100 masakrat kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihen djegien e gjallë në prani të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 shkurti deri në 1 mars 1998 pati 24 viktima civile".

A2 CNN Livestream

Dita jonë